Partia Demokratike është rreshtuar në krah të shoqatave të gjuetarëve në lidhje me moratoriumin e gjuetisë. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti Luan Baçi në emër të PD-së, e ka cilësuar si abuziv këtë vendim të qeverisë. Sipas tij, kjo është hera e tretë e shtyrjes së këtij moratoriumi, duke e çuar në 15 vite total, ndalimin e gjuetisë në vend.
Deklarata e deputetit, Luan Baçi:
Mazhoranca socialiste ka kaluar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, dhe do të sjellë në Kuvend, projektigjin për shtyrjen e moratoriumit të gjuetisë me 5 vite të tjera. Kjo është hera e tretë që vendoset moraturimi, duke e çuar në 15 vjet ndalimin e gjuetisë në vend.
Partia Demokratike u bashkohet shoqatave për Gjueti dhe Konservim, të cilat na e kanë përcjellë këtë shqetësim, dhe e denoncon si krejtësisht abuziv moratoriumiun. Ky është një rast i paprecedent, që ndodh vetëm në Shqipëri, duke shkelur hapur të drejtat e komuniteteve lokale. Partia Demokratike do të ofrojë ekspertizën ligjore për të mbështetetur Federatën për Gjueti dhe Konservim, e cila do ta çojë ligjin në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Nuk është flora dhe fauna shqetësimi i qeverisë, që e aktivizon për herë të tretë moratoriumin anti-gjueti. Është e njëjta qeveri që do të shpyllëzojë vendin; e njëjta qeveri që nuk ndalon zjarrvëniet e qëllimshme në mijëra hektarë pyje; e njëjta qeveri që asetet e trashëgimisë kulturore i kthen në projekte biznesi me hekur e beton.
Arsyeja ka të bëjë me të konsideruarit e Shqipërisë si çiflig ku lejohet të gjuajnë vetëm nomenklatura e partisë në pushtet. Shprehim bindjen se moratoriumi nuk e ndalon gjuetinë, por i hap rrugë gjahut ilegal, i cili bëhet edhe më i dëmshëm për faunën e Shqipërisë. Partia Demokratike do ta votojë kundër projektligjit dhe do t’i dalë zot komuniteteve të prekura nga politikat e mbrapshta të qeverisë.