Sindikata e Punonjësve të Universiteteve, ka vendosur të çojë më tej protestën e saj për rritjen e pagave, ku në një deklaratë për mediat, pedagogët, të cilët më herët deklaruan se viti i ri akademik nuk do të nisë më 17 tetor ashtu siç ishte programuar, bëjnë me dije se në mungesë të reagimit zyrtar, do të vijojnë protestën nga e hëna në oborrin e çdo universiteti.
Gjithashtu, sindikata i është drejtuar me një kërkesë Institucioneve të Arsimit të Lartë, që të thërrasin Asamblenë e Personelit Akademik.
“Në mungesë të një reagimi zyrtar nga ana e institucioneve/autoriteteve që u jemi drejtuar, deklaron si më poshtë:
- 1.Shpalljen e vijimit të protestës në mbarë universitet publike të vendit, duke filluar nga dita e hënë, datë 17 tetor 2022, nëpërmjet qëndrimit në ambientet e jashtme të çdo fakulteti (oborret e tyre), nga ora 10.00 – 12.00. Ky qëndrim lidhet me qëllimin tonë për të sensibilizuar institucionet/organet/autoritetet vendimmarrëse të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.
- Sindikata i është drejtuar me një kërkesë autoriteteve drejtuese të njësive kryesore të IAL-ve Publike, me nr. 317 prot., datë 14.10.2022, që në bazë të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi dhe në respekt të stafeve akademike, ndihmës akademike dhe administrative, që kanë qenë pjesë e tre protestave publike në ambientet e universiteteve tona, të organizuara nga SPUSH, të thërrasin Asamblenë e Personelit Akademik, të quajtur në ketë kërkesë si Asamble e Përgjithshme, duke ftuar në këtë organizëm/forum edhe punonjësit ndihmës akademikë/administrativë dhe përfaqësuesit e Qeverive Studentore, edhe pse këta të fundit nuk janë anëtarë të Asamblesë së Personelit Akademik.
- Sindikata do t’u informojë në vijim për të gjitha hapat, që do të ndërmerren nga ana e organeve/autoriteteve të IAL-ve publike në lidhje me mbështetjen e tyre në aksionin tonë të përbashkët”, shkruhet në njoftim.
Gjithashtu, sindikata i dërgoi dhe një kërkesë të gjitha Institucioneve të Arsimit të Lartë që t’i Bashkohen kësaj greve. Pak ditë më parë pedagogët refuzuan ofertën dhe tashmë vendimin e qeverisë për rritjen e pagave me 7%.