Ish-deputeti demokrat Arben Ristani thotë se fushata për zgjedhjet e 14 Majit është dhe politike dhe e shoqëruar me ofertat lokale të kandidatëve.
Ai deklaroi se në kushtet ku jemi dhe politikës kombëtare nuk i shmangesh dot pasi është reflektuar në gjithë bashkitë e vendit.
Ristani tha se janë përqendruar më shumë tek oferta dhe më pak te negativiteti, të paktën në Korçë.
Sipas tij, ajo që është shqetësuese dhe që OSBE-ODHIR e kanë ngritur si shqetësim janë përdorimi i administratës publike, aseteve publike dhe blerja e votës.
Ai shtoi se këto janë problematikat reale që flasin për keqmenaxhim të zgjedhjeve apo mundësinë për t’i manipuluar.
Ristani tha se përzierja e politikës qendrore me atë lokale ndodh në zgjedhje, por shtoi se fokusi i tyre ka qenë më te zgjedhjet lokale, teksa kryetari i partisë Sali Berisha bën fushatë kombëtare dhe ka shkuar në çdo bashki ku ka garë dhe që sipas tij është një ndarje e fushatës në mënyrë normale të duhur, për t’iu dhënë peshë.
Është e dukshme që PS është e organizuar si matrioshkat që janë kukulla të Ramës njëri pas tjetrit të gjithë, pa asnjë lloj integriteti dhe pavarësie lokale.
Rama i përdor kukullat e tij në të gjitha qytetet në mënyrë denigruese dhe cinike, për të treguar që është ai dielli dhe shiu, autokrati që e shpërndan autokracinë e tij në të gjithë vendin.
Në Durrës është një nga kandidatët më të mirë që opozita ka në rang Shqipërie, një djalë me përvojë politike, menaxheriale dhe situata atje është shumë e mprehtë për shkak të keqmenaxhimit që i bëjnë rilindasit jo vetëm Durrësit por gjithë vendit.
Është një kryetare bashkie që nuk duket të ketë lënë ndonjë shenjë gjatë kohës që ka qeverisur.
Ne në Durrës i kemi marrë dhe të gjithë deputetët e mundshëm në një kohë të caktuar, është një qytet ku e djathta ka rrënjë.
Me një rezultat të mirë rriten shumë shpresa e 2025 për të pasur një fitore të thellë, një rezultat i keq, do të kërkojë një analizë të thellë.
Ky vend pa një balancë mes pozitës dhe opozitës nuk do të ketë të ardhme, por kam bindjen që do të dalim mirë në këto zgjedhje dhe do të jetë start i mirë për 2025.
Dëmi që na la Basha po e vuajmë dhe sot, por besoj se këtë dëm do e rikuperojmë në këto zgjedhje për të nisur me një start të mirë në 2025.