Ndërsa tema e koronavirusit ka lënë në hije vendimin e rëndësishëm për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, diplomati i lartë i BE-së Josep Borrell ka risjellë edhe një herë në vëmendje përkushtimin dhe solidaritetin e unionit për t’i qëndruar pranë rajonit.
Hapja e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një lajm i mirë për të dyja vendet, Ballkanin Perëndimor dhe Europën.
Këtë mesazh reflektues ndau të hënën, Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikat e jashtme dhe të sigurisë, teksa pranoi se vendimin kyç të 25 marsit e ka lënë në hije sfida e koronavirusit, që prej javësh dominon titujt e medieve botërore.
“Duke marrë një vendim kaq të rëndësishëm në kohë kaq të vështira, BE-ja avancoi në një çështje politike të rëndësisë parësore, dhe i dërgoi sinjal të qartë Ballkanit Perëndimor, se Bashkimi Europian nuk është i plotë pa të. Vendimi është një rreze drite në errësirën që na rrethon,” deklaroi Borrell.
Ministrat e Jashtëm të BE-së javën e kaluar ranë dakord njëzëri të japin dritën jeshile për çeljen e bisedimeve me dy fqinjët ballkanikë.
Borrell tha se vendet i përmbushën detyrat që iu kërkuan, megjithëse hapi i parë është pjesë e një procesi të gjatë deri në anëtarësimin e plotë.
Përpos asistencës politike në rrugëtimin europian, diplomati i Brukselit thekson se solidariteti nuk do të mungojë as për krizën imediate të pandemisë.
“Gjashtë partnerët e rajonit do të marrin deri 38 milionë euro ndihma për emergjencën mjekësore të Covid-19, dhe 374 milionë euro për rimëkëmbjen social-ekonomike sapo situata të përfundojë. Shqipëria do të përfitojë përkatësisht 4 dhe 7 milionë euro, pas asistencës humanitare prej mbi 1 miliardë euro donacione për rindërtim pas tërmetit shkatërrues të nëntorit,” njoftoi Borrell.
Diplomati spanjoll tha se BE-ja me këtë solidaritet tregon edhe një herë zotimin serioz për të pasur pranë vendet e Ballkanit Perëndimor.