A ka pasur tension të shtuar brenda radhëve të Partisë Socialiste gjatë ditëve të fundit? Përgjigje kësaj pyetjeje i dha në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN deputetit i PS dhe ish-ministri Damian Gjiknuri.
Ai i mohoi duke thënë se diskutime ka gjithmonë, por jo krisje të krijuara nga grupe për të marrë më shumë fuqi.
“Kam lexuar vetëm nga mediat pasi nuk kam qenë në atë mbledhje. Unë di të them edhe ne si grup parlamentar mundohemi të gjejmë më të mirën e mundshme për të siguruar të drejtat procedurare që ka opozita, të garantojmë një seancë normale, nuk është e thjeshtë kur ke të bësh me një opozitë tepër agresive…
Mund të ketë debat se si kjo gjë të bëhet më mirë, por jo debat se njëri grupim do të marrë fuqi ndaj një grupi tjetër. Këto më shumë janë dëshira apo ëndrra të opozitës për të parë krisje brenda PS-së, pasi e shohin që e kanë të pamundur që ta mposhtin atë elektoralisht apo të kenë përballë këtë rival. Ëndrra e të dobëtit është që të shkërmoqet i forti që t’i krijohet hapësira e nevojshme”, tha Gjiknuri.