Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet menjëherë.
Përmes një postimi ambasada shkruan se i bashkohet thirrjes që BE i bëri Kosovës dhe Serbisë, pas tollovisë së krijuar në pikat kufitare si pasojë e vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targa.
“Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian në thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i ulin tensionet –menjëherë, pa vonesë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Më herët, zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se tensionet duhet t’i ndalin të dyja palët dhe se dialogu duhet shfrytëzuar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tilla.
Ditën e sotme shumë automjete janë ndaluar në pikat kufitare, ndërsa Policia e Kosovës nuk e ka lejuar asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.