Fakti që Lulzim Basha do të garojë për kryetar në PD, pa dhënë më parë dorëheqjen, nuk është pritur mirë nga kritikët e tij. Një nga këta zëra, ish-kreu i Partisë Demokratike Kukës Ibsen Elezi, tha se kjo nuk është një garë e ndershme. Sipas tij, kjo parti nuk mund të trajtohet si pronë private.
“Që Basha të mos largohej dhe të hapte një garë të ndershme, këtë nuk e prisja. Nuk mundesh të jesh edhe kryetar, edhe të garosh. Një njeri që do të garojë, tërhiqet nga funksioni dhe garon në mënyrë të barabartë. Ne kemi kaq kohë që kërkojmë zgjedhje.
Basha thotë që kemi një proces tjetër, procesin e mbledhjes së provave. Nuk e di sesi një mbështetës i Bashës arrin të mbrojë një njeri që shkel demokracinë te shtëpia, kaq të pafytyrë janë? Kanë vuajtur dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë që të krijohet, themelohet ajo Parti Demokratike. PD-ja nuk është pronë e dikujt. Është katastrofike dhe duhet të gjendet një zgjidhje patjetër që të dalim nga ky ngërç. Nuk e di si e ngrenë dorën në mënyrë aq idioteske, sikur të jenë robotë”, – tha ai në studion e “7 pa 5”.