Polonia është duke konsideruar mbështetjen e një misioni të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit, mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë vendim.
“Ne konsiderojmë se veprimet për të stabilizuar rajonin do të arsyetoheshin”, ka thënë një zëdhnëse e ministrisë së Jashtme të Polonisë për agjencinë e lajmeve, Reuters.
“Ne duhet të presim për të kuptuar nëse Polonia do t’i bashkohet kësaj iniciative dhe në çfarë aspekti”, ka shtuar ajo.
Ende nuk është bërë e qartë kur Polonia, e cila ka synuar të forcojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara prej kur partia Ligji dhe Drejtësia ka ardhur në pushtet më 2015, do të marrë një vendim për këtë çështje.
Ndërkohë Gjermania ka treguar se nuk do të marrë pjesë në misionin detar të udhëhequr nga SHBA-ja, pasi preferon formimin e një misioni evropian.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë të mërkurën se ajo beson që ideja e krjimit të një misioni detar evropian në Ngushticën e Hormuzit, do të diskutohet në një takim informal të ministrave të jashtëm dhe atyre të mbrojtjes të BE-së në Finlandë më vonë gjatë këtij muaji.
Shtetet e Bashkuara kanë marrë nismë për të mbrojtur Ngushticën, e cila gjendet në mes të Omanit dhe Iranit dhe përmes së cilës transportohet pothuajse një e pesta e naftës.
Ky hap vjen pas rritjes së tensioneve në mes të Iranit, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara në muajt e fundit.
Polonia më parë ka ofruar mbështetje ushtarake për misionet e udhëhequra nga SHBA-ja në Irak dhe Afganistan.