Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar fushatën e ardhshme elektorale për zgjedhjet vendore të 2023. Në një intervistë për Fax News, Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës është e fokusuar te puna e saj përditshme.
Ai nënvizoi se pret që periudha e zgjedhjeve të mos jetë një fushatë me sharje e shpifje, por një fushatë civilizuese, ku njerëzit diskutojnë se cilat janë idetë për ta çuar qytetin më përpara.
“Puna që bëjmë ne është një punë e përditshme, jo vetëm kur vjen fushata. Në këto kohë, fokusi ka qenë kryesisht te shkollat, kopshtet, çerdhet dhe konviktet. Sigurisht, ka gjëra që mund të bëhen më mirë, ndaj unë pres që kjo të mos jetë një fushatë me sharje, me shpifje, me goditjet nën brez, por të jetë një fushatë civilizuese, ku njerëzit shprehin se cilat janë idetë për ta çuar qytetin më përpara. Kushdo që kandidon, nga disa fraksione të opozitës, nuk është armiku im.
Përkundrazi, është një kontribues gjithashtu, se si mund ta bëjmë më mirë këtë punë. Unë fushatën e kam marrë seriozisht edhe në vitin 2019, kur nuk kishim një kandidat zyrtar të opozitës sepse unë besoj se fushata merret seriozisht jo për kundërshtarët, por për njerëzit që thonë: Të kam vënë aty, që të bësh maksimumin, me sa ke fuqi dhe sa ke mundësi”, deklaroi Veliaj.
Ai theksoi se çdo fatkeqësi është edhe një mundësi, sikurse koha tregoi se shkollat që u dëmtuan nga tërmeti u rindërtuan shumë herë më të mira dhe më të sigurta se të vjetrat. “Për shkollën “Sami Frashëri” tërmeti ishte fatkeqësi që e dëmtoi, por ishte edhe një mundësi që shkolla sot është më bukura në Republikën e Shqipërisë, ndoshta në gjithë Evropën Juglindore. Fushata e përditshme është ajo që na nderon të gjithëve. Është si të thuash: Ju si televizion, punoni vetëm kur ka fushatë?
Jo, ju përditë jeni në një përpjekje për të transmetuar, për të thënë të vërtetën, për të dhënë të dyja anët e medaljes dhe unë besoj se kështu duhet të funksionojmë si shoqëri. Njerëz që punojnë, përveshim mëngët përditë dhe jo vetëm kur vjen vakti i fushatës”, tha Veliaj.