Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vizitoi sot (17 nëntor) Panairin e Librit, që ka çelur dyert për publikun në Tiranë, për të 26-in vit me radhë.
Kreu i Shtetit u ndal në të gjitha stendat e botuesve shqiptarë të Shqipërisë, të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Gjatë bisedës me botues, shkrimtarë dhe përkthyes Presidenti Begaj u shpreh se në këtë panair gjithçka “flet” shqip, me autorë të vjetër e të rinj, personalitete botërore me influencë në të shkuarën dhe të tashmen.
“Përgëzime për të gjithë ata që me pasion për dijen dhe gjuhën amtare po kontribuojnë ndjeshëm në ruajtjen dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar!”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Gjatë kësaj vizite Bagaj bisedoi edhe me lexuesit e vegjël, ndërsa është shprehur se “ata e duan librin, edhe pse janë brez i jetës virtuale dhe kjo është dëshmi e ruajtjes dhe e përcjelljes së një tradite të hershme shqiptare”.
“U ndjeva plot gëzim nga fakti që sërish në panair pashë të gjitha moshat. Të shohësh të gjithë brezat në shtëpinë e dijes, të mbush me urtësi dhe shpresë”, – u shpreh Kreu i Shtetit, i cili e vlerësoi Panairin e Librit si një “bibliotekë të madhe shqiptare”.