Presidenti Begaj vizitë në Tropojë, takim me kryebashkiakun Rexhë Byberi: Zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet kudo, edhe në zonat më të largëta

0
51
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Presidenti Bajram Begaj ishte në Tropojë për të diskutuar mbi problemet dhe perspektivën e zhvillimit lokal, ku ka dhënë mesazhin se “zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet kudo që ata janë edhe në zonat më të largëta”.

“Askush nuk duhet të ndihet i harruar apo i lënë mënjanë nga institucionet shtetërore, Pushteti vendor duhet gjithashtu të bëjë ç’mos për t’i ardhur në ndihmë çdo individi, familjeje apo biznesve që përballen me vështirësitë ekonomike”, tha Presidenti Begaj gjatë takimeve me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe komunitetit.

Gjatë takimit me Kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, Presidenti Begaj diskutoi lidhur me sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet komuniteti si dhe bashkia.

“Garantimi i të drejtës së pronës si dhe përditësimi i hartës së pronësisë është një parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit si dhe nxitjen e sipërmarrjeve në këtë zonë. Duhet të krijojmë mundësitë për të mbështetur të rinjtë të projektojnë të ardhmen e tyre këtu”, u shpreh Presidenti Begaj, thuhet ne njoftimin e Presidences te shperndare per mediat.

“Sfidat mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit ndërinstitucional. Është e rëndësishme të sigurohet infrastruktura shkollore, të sigurohet shërbimi shëndetësor edhe në zona të largëta, të vazhdohet të investohet në turizëm, duhet patur gjithnjë kujdes që identiteti i zonës të mos humbasë”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj vizitoi edhe gjimnazin “Asim Vokshi”.

“Takimi me të rinjtë, sidomos në kushtet e shkollës, kur i sheh plot dëshirë për dije e për të krijuar një të ardhme dinjitoze, të jep pafund energji dhe të mbush me shpresë për Shqipërinë e së nesërmes”, theksoi Presidenti Begaj.

Presidenti vizitoi dhe parkun Kombëtar të Valbonës dhe u takua me përfaqësuesit e biznesit.

“Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës është një perlë natyrore që pak nga pak po zbulohet me madhështinë e saj për të apasionuarit e natyrës kudo në botë. Bujtinat mikpritëse që më është dhënë rasti të vizitoj nga afër, janë shembulli më i mirë se përse Tropoja duhet të vazhdojë të fokusohet tek turizmi, veçanërisht në modele të qëndrueshme të zhvillimit të turizmit,” deklaroi Presidenti.

Sigurimi i energjisë, legalizimi i pronës si dhe infrastruktura ishin ndër sfidat që të pranishmit në takim evidentuan si më parësoret e që duhet të marrin një zgjidhje sa më të shpejtë. Në këtë drejtim, Presidenti Begaj i garantoi përfaqësuesit e biznesit se do të përcjellë shqetësimet e tyre aty ku është e nevojshme për të marrë një zgjidhje.

Zjarr Tv Ad