Shumë të mençur e kanë thënë se për fatkeqësinë e një populli nuk janë fajtorë vetëm njerëzit e këqij, por edhe të mençurit dhe të mirët që nuk e luftojnë të keqen. E sa i përket të keqes shqiptare, atë e kanë ndihmuar edhe ‘ekspertët’ e relativizimit të saj, pra ata që e mbështetën aleancën e ‘qelbësirave’ dhe që u bënë ‘deve’ mediatike të karvanit të ‘Rilindjes’
Dhe të këqijtë që e zhvatën Shqipërinë dhe të mirët që nuk e luftuan të keqen, na bënë neve shqiptarëve këtej kufirit të ndjehemi si popull pa mëmëdhe. Si dhe nga Tirana zyrtare të mos presim më shumë se sa të na kursej nga turpi i politikanëve të paturpshëm. Apo të shpresojmë se, në mos më shumë, Presidenti i ri i Shqipërisë do na bëjë të mburremi me të, se ai e dinë që sa për ta turpëruar shqiptarinë, mjaftojnë këta që janë, me në krye Piktorin.
Por dihet se ai nuk do e ketë të lehtë në Shqipërinë e Piktorit, në një shtet me ministra që nuk guxojnë të përzihen në punët e veta dhe, me një kryeministër i cili sa nuk e ka dhënë me qira të gjithë vendin që drejton dhe i cili, do i bënte presidentë e ministra të gjithë politikanët që jetojnë jashtë kufijve të mëmëdheut, pra të gjithë ata që i dallon inferioriteti ndaj tij dhe injoranca politike.
Po pra, Presidenti i ri i Shqipërisë do përballet me të vërtetën se shteti i tij është në duart e ‘Rilindjes’ së përbërë nga ‘vagonë’ që nuk mund të lëvizin pa lokomotivën e vet – pa Piktorin, pjesëtarët e së cilës i dallon mjeshtëria të mos thurin as dy fjali ku nuk lëvdohet Kryeministri dhe të cilëve, nuk u lejohet të shprehin lirshëm as të vetmen që e njohin dhe mund ta përcaktojnë pagabueshëm: eturin, urinë dhe thellësinë e xhepit të vet.
Pra, Presidenti i ri, para së gjithash, do duhet ta nxjerrë Shqipëria nga kjo grindje ndërpartiake, nga kjo zhurmë lidhur me non-gratat që ia shpallë bota, zhurmë që ka thuajse vetëm një qëllim: t’i mbulojë burrështetasit hajdut, ata që e kanë kuptuar se jo vetëm shoqëritë autokratë, por edhe shumë nga ato të tipit demokratik, më shumë e parapëlqejnë hajnin e dëgjueshëm, se sa të drejtin kokëfortë.
Thënë edhe më qartë: Presidenti i ri i mëmëdheut ka mundësi të lë gjurmë në faqet e ndritura të historisë shqiptare, por vetëm nëse kombit ia kthen ndjeshmërinë ndaj fatit kolektiv, pra vetëm nëse do jetë e kundërta e atyre që janë arrogantë e mospërfillës ndaj fatit të popullit të vet. Dhe të cilët janë të atillë sepse nuk e njohin të vërtetën për popullin e vet, sepse shqiptarinë e shohin me syzat e Beogradit dhe nga dritaret e restoranteve të Dubait.
Por, nuk ka dyshim se pa marrë parasysh dëshirave dhe pritjeve tona, çdo gjë do varet nga brumi njerëzorë i Presidentit të ri të Shqipërisë, nga e vërteta se as nga një politikan i keq mund të bësh një njeri të mirë dhe, as nga një njeri i keq mund të bësh një politikan të mirë.
Siç nuk ka dyshim se Piktori i ‘Rilindjes’ do mbetet i pandjeshëm ndaj të vërtetës se Shqipëria deshqiptarizohet po aq ngutshëm sa edhe Lugina e Preshevës, me çka mëmëdheu u bë vend ku vështirë jetohet, por lehtë të vrasin.
Pra u bë vend ku nënat nuk ua mësojnë fëmijëve dashurinë ndaj popullit të vet dhe vendit ku kanë lindur, por udhët që çojnë drejt shteteve që janë e kundërta e Shqipërisë: që u takojnë qytetarëve, e jo pushtetarëve.