Presidenti i vendit, Ilir Meta, ditën e sotme ka dekretuar pesë ligje të miratuara nga Kuvendi, të cilët ishin vlerësuar si të nevojshëm për t’u realizuar mes forcave politike, në kuadër të dakordësisë së arritur në marrëveshjen e 5 qershorit 2020. Ligjet e dekretuar sot nga Meta, lidhen me mbarëvajtjen e proceseve zgjedhore.
Gjithashtu, Presidenti Meta, kërkon nga organet e caktuara me ligj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, ILDKPKI dhe çdo organ tjetër, që ka kompetenca ligjore sipas këtyre ndryshimeve, të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të rrisin bashkëpunimin ndërmjet tyre, me qëllim hartimin akteve nënligjore të nevojshme dhe implementimin objektiv të këtyre ndryshimeve.
Ndër të tjera, Presidenti thotë se; çdo fenomen negativ, që vendos në rrezik apo cënon lirinë e votës, apo synon deformimin e vullnetit të sovranit, duhet të ndëshkohet rreptësisht, në funksion të ruajtjes së legjitimitetit të procesit zgjedhor, deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve.
Konkretisht, Presidenti ka dekretuar:
– Ligjin nr. 146/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”;
– Ligjin nr. 147/2020 “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 7905, datë 21.03.1995, ‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”;
– Ligjin nr. 148/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 97/2016,’Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’”;
– Ligjin nr. 149/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”;
– Ligjin nr. 150/2020 “Për disa shtesa në ligjin nr. 60/2016, ‘Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve’”.