Dhjetë studiues të rinj, të përzgjedhur mes mbi 100 aplikantësh, do të përgatisin projekte kërkimore nën drejtimin e disa ekspertëve me famë botërore në fushën e drejtësisë tranzitore. Kursi do t’i përgatisë studiuesit, përpara se ata të fillojnë kërkimet e tyre. Gjetjet do të diskutohen në një konferencë ndërkombëtare, që do të organizohet nga Prezenca edhe fondacioni “Konrad Adenauer” vitin e ardhshëm. Qëllimi i projektit është të nxisë kërkimet në fushën e drejtësisë tranzitore , të rrisë analizën akademike dhe të kontribuojë për informimin më të mirë të publikut dhe përmirësimin e diskursit akademik për drejtësinë tranzitore dhe trajtimin e të kaluarës së Shqipërisë.
“Debati për të shkuarën duhet të ketë një bazë të shëndoshë, prandaj duam të promovojmë kërkimet shkencore”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt. “Pas përvojës shkatërrimtare të diktaturës komuniste, besoj se Shqipëria ka nevojë për kuptim dhe kujtesë racionale të përbashkët rreth asaj që ka ndodhur”. Ai shtoi se ka nevojë edhe për llogaridhënie. “Llogaridhënie nuk do të thotë vetëm ndëshkim. Ajo do të thotë, gjithashtu, të diskreditosh të shkuarën, të tregosh krimet e të shkuarës dhe autorët e tyre, t’i çlegjitimosh ata. Është edhe çështja e drejtësisë. Edhe llogaridhënia gjyqësore e kufizuar ka ndikim pozitiv – shpallja e veprimeve të së shkuarës si të këqija dhe të liga. Edhe format sociale, morale dhe politike të llogaridhënies, duke përfshirë njohuritë objektive rreth asaj që ka ndodhur, ndihmojnë në krijimin e disa formave të drejtësisë – duke i dhënë fund mohimit të plagëve të së shkuarës, duke u dhënë zë viktimave, duke thënë qartë ‘kjo gjë ishte e keqe dhe e gabuar’, duke kontribuuar në një narrativë të re”, tha Borchardt.
Walter Glos, drejtor i zyrës së fondacionit “Konrad Adenauer” në Shqipëri tha: “Sot është një ditë e rëndësishme, pasi bëjmë një hap përpara në projektin për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe profesionistëve të Shqipërisë në fushën e drejtësisë tranzitore. Fondacioni “Konrad Adenauer” e ka çështjen e trajtimit të së kaluarës komuniste mes përparësive të misionit të tij në vend. Përballja me kohët më të errëta të historisë së një kombi nuk është punë e lehtë për qytetarët e tij, por është domosdoshmëri, pasi dëshmon vullnetin e mirë për të kuptuar sjelljen e tyre kolektive, sociale dhe politike në të shkuarën, me qëllimin për të mësuar prej saj, në mënyrë që ta projektojnë më mirë veten në të ardhmen”.