Prishtina fut në listën e zezë Kryeministren serbe, Pacolli: Sa të jem Ministër nuk shkel në Kosovë

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Deklaratat ofenduese që kryeministrja e Serbisë bëri kundrejt kolegëve të saj të Kosovës një ditë më parë e kanë shtuar atë në listën e zezë të Prishtinës.

Një tjetër zyrtar i lartë i Serbisë është shtuar në listën e personave të padëshiruar në Kosovë.

Këtë radhë bëhet fjalë për kryeministren e vendit, Ana Bërnabiç.

Shkak u bë një deklaratë e kryeqeveritares serbe gjatë një konferencë shtypi me shefin e delegacionit të BE-së në Beograd.

Duke folur për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnabiç tentoi të ulë figurën e palës kundërshtare, duke i quajtur ata “njerëz të ardhur nga mali” me të cilët është vështirë të dialogohet.

Në kundërpërgjigje, shefi i diplomacisë në Prishtinë, Behgjet Pacolli, njoftoi se sa të jetë ai Ministër i Jashtëm, kryeministrja serbe nuk do të lejohet të hyjë në Kosovë.

Pacolli: “Ky racizëm i institucionalizuar e ka brumin në ideologjinë ultranacionaliste të sëmurë që promovon qeveria serbe. Shpresoj që Evropa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga ish-Jugosllavia.”

Deklaratat e shefes së kabinetit në Serbi erdhën gjatë prezantimit të progresraportit për integrimin në Bashkimin Europian.

Raporti vlerësoi ecurinë ekonomike të vendit por nuk ndali rezervat për lirinë e të shprehurit dhe të shtypit, punën e parlamentit, protestat antiqeveritare dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile.

Progresraporti iu dorëzua të mërkurën edhe qeverisë së Kosovës.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, tha se javën e ardhshme do të analizohen gjetjet e raportit, por edhe kritikat në të, veçanërisht ato për aplikimin e taksës 100 për qind ndaj Serbisë.

 

Zjarr Tv Ad