Ish-ministri i Ekonomisë Arben Malaj ka folur pasditen e sotme për projektin e Portit të Durrësit dhe aferën e Inceneratorëve. Ai u shpreh në News 24 se Porti i Durrësit është një projekt i përmasave të mëdha duke theksuar se është nevoja që të bëhet transparencë.
“Projekti i portit ka 2 vite që ka filluar pas një marrëveshjeje me Emiratet e Bashkuara. Ajo që theksohet nga raportet e fundit është që këto projekte kaq të mëdha duhet të kenë transparencë sa më të madhe. Është një proces pak më i gjerë se sa një marrëveshje mes disa zyrtarëve. Projekti planifikohet të implementohet brenda 20 viteve. Porti i Durrësit ka po ashtu kostot e tij për zhvendosjen, dhe zmadhimin dhe modernizimin e tij në Porto Romano. Në 2003 jemi detyruar të heqim cisternat e naftës pas këshillimit që cisternat ishin një bombë me sahat për qytetin. Ka të dhëna që kompanitë me koncesione afatgjata mund të apelojnë vendimin për transferimin e tyre nga porti i Durrësit. Projekti duhet të ishte më i thelluar dhe të tregonte përputhjen mes etapave dhe prekjen e aktorëve të ndryshëm që preken nga ky projekt. Për të kuptuar sa i suksesshëm do jetë duhet të mbikëqyret. Ekspertët shqiptarë janë vlerësuar se nuk kanë kapacitetin për të mbikëqyrur koncesione të tilla afatgjata, në këtë aspekt instrumenti më i mirë i kontrollit është parlamenti, ajo që mungoi nga transparenca duhet të kompensohet në fillimin e këtij projekti.
Këto të ardhura që pritet të vijnë duhet të kontrollohen përndryshe do kemi vetëm një zbatim rutinë. Në këtë projekt ka nevojë për më shumë diskutime, zyra e BE ka bërë një sqarim që do e ndjekë nga afër këtë projekt. Pra nuk do ishte mirë që një projekt kaq i madh të mbivendosej në vendimmarrjen për buxhetin e shtetit. Ambientet që do ndërtohen aty zënë një peshë të madhe, investitori kërkon një sasi të ardhurash të mëdha që në fillim, dhe hapja para kohe sjell debat, por ditën që ajo do miratohet duhet një zyrë. Durrësit do i sjellë përfitime kur të mbarojnë ndërtimet, buxhetit të shtetit do i sjellë fitime në formën e dividentit duke qenë se shteti është aksioner të këtë projekt. Nuk rrezikojmë të mbetemi pa port mallrash, jemi në një fazë zhvillimi ku porti i mallrave të jetë më i madh se ky aktual”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, ai i cilësoi Inceneratorët një rast të artë për Prokurorinë e Posaçme për t’i bërë shërbim vendit dhe për të marrë vlerësimin publik që i duhet. “Inceneratorët janë një rast i artë për SPAK-un ku me një hetim dhe gjykim profesional dhe jo nën presionin partiak t’i bëjë një shërbim këtij vendi dhe të marrë vlerësimin publik që i duhet. Vetëm procesin gjyqësor mund të japë rezultatet që priten, ka një debat pse financohen ende inceneratorët, por ndërmarrja duhet të financohet, asnjë pagesë abuzive nuk mund të bëhet. Ortakët nuk marrin pagesë, kompania paguhet sepse duhen pastruar qytetet, nuk kalojnë pagesa në llogaritë e tyre”, tha Malaj.