Problematika ku autoritetet kontraktore vendosin kritere përjashtuese të paargumentuara përveçse nga ankimimet në Komisionin e Prokurimeve Publike vit pas viti është hasur edhe në auditimet E Kontrollit të Lartë të Shtetit. Janë një sërë raportesh për bashki të ndryshme në vend të cilat dalin në finale në të njëjtin rezultat.
Kështu për shembull një auditim për Bashkinë Krujë i zhvilluar gjatë këtij viti për aktivitetin ekonomik të viteve të mëparshëm nënvizon se kriteret që vendosen janë të ekzagjeruar.
“Nga auditimi i 13 procedurave të prokurimit për vitin 2020-2021 me vlerë të fondit limit 1,1 miliard lekë lekë pa TVSh, ka rezultuar se në DT janë aplikuar kritere të ekzagjeruar dhe të paargumentuara në rastin e 5 procedurave me vlerë të fondit limit 1miliard lekë pa TVSh ose 89%” thuhet në dokumentin e KLSH.
Një tjetër auditim këtë herë për Bashkinë e Beratit ndalet pikërisht tek prokurimet ku duket se edhe këtu hartimi i dokumentacionit ku konstatohen kritere që s’kanë lidhje me natyrën e kontratës.
“Janë konstatuar anomali në hartimin e kritereve të veçanta të DST në procedurat e prokurimit publik, pasi janë vendosur kritere të cilat nuk kanë lidhje të ngushtë me natyrën dhe madhësinë e kontratës. Janë konstatuar anomali në procesin e kualifikimit dhe vlerësimit të ofertave të operatorëve ekonomik, si dhe në zbatimin e kontratave të punimeve, si pasojë e të cilave është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 8,6 milionë lekë” thuhet në auditim.
Përjashtim nuk bën as Bashkia Kuçovë për të cilën KLSH vlerëson se në auditimin e 12 procedurave prokurimi me vlerë kontrate 429 milionë lekë me TVSH, janë konstatuar shkelje në aplikimin e kritereve jo në zbatim të akteve ligjore/nënligjore të LPP, ku kriteret nuk janë në përputhje me zërat e preventivit, veprime të cilat direkt ose indirekt kanë çuar në pjesëmarrjen e ulët të operatorëve ekonomikë.
Për një tjetër Bashki siç është ajo e Shkodrës sa i takon prokurimeve edhe pse KLSH nuk citon pjesën e kritereve nënvizon se ha konstatuar një tjetër problematikë që lidhet me zhvillimin e procedurave për projekte ndaj të cilave nuk ka në dispozicion ende fondin e nevojshëm