Prokurores Elfrida Bregova i kërkohen shpjegime mbi transaksionet bankare dhe huatë

0
68
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Prokurorja e Tiranës, Elfrida Bregova u përball të martën me pikëpyetje mbi mundësitë financiare të saj dhe të bashkëshortit po ashtu prokuror, Saimir Bahiti, në blerjen e një apartamenti 104 metra katrorë në Tiranë.

KPK vuri në dukje se Bregova rezultonte me fonde të pamjaftueshme dhe një bilanc negativ në total prej 2.9 milionë lekësh, që siç u tha në seancë, vinin nga mosnjohja si burim i ligjshëm i një huaje 1.2 milionë lekë, mosnjohja e shpenzimit të një dhurate 10 mijë euro dhe një transfertë e dyshimtë bërë në emër të bashkëshortit prej 21 mijë eurosh.

Bregova e mohoi transfertën duke këmbëngulur se ishte falsifikuar dhe solli si provë në seancë se ditën e transferimit të fondeve në një bankë në Tiranë, bashkëshorti në fakt kishte qenë në gjykatën e Shkodrës. Ajo e cilësoi pasaktësi mosdeklarimin e shpenzimit të shumë 10 mijë euro, ndërsa këmbënguli se huadhënësi i shumës 1.2 milionë lekë kishte pasur të ardhura dhe huaja duhej të njihej e ligjshme.

Bregova po ashtu u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs mbi etikën e marrjes së një huaje 50 mijë euro nga një biznesmen, që siç doli në seancë kishte pasur mundësi financiare.

Prokurorja nga ana e saj vlerësoi hetimin e Komisionit dhe theksoi se “ishte dakord me rezultatet e hetimit”.

Trupa që hetoi Bregovën është e përbërë nga Alma Faskaj kryesuese, Lulzim Hamitaj anëtar dhe Genta Tafa Bungo, relatore.

Elfrida Bregova përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua fillimisht prokurore pranë Prokurorisë së Kavajës. Prej vitit 2010, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.

Zjarr Tv Ad