Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë për 6 të ndaluarit e protestës së opozitës më 21 mars. Nën masën “arrest me burg” janë lënë protestuesit Mariglen Doçi, Dorian Protoduari dhe Emiljano Mustafa. Ndërsa janë lënë të lirë me masën “arrest shtëpie” Bledar Dollia Jorges Gjikola dhe Arbër Kola.
Ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho thotë se mazhoranca ka për qëllim të trembë protestuesit. Ndërsa ish-deputeti Klevis Balliu e cilëson politik vendimin e marrë për protestuesit. “Në këtë vend qeveria është e lidhur me krimin. Masa e arrestit me burg për protestuesit nuk është e drejtë”,- ka thënë ai.
Shoqërimi i protestuesve bëri që protesta e opozitës të zhvendoset nga Parlamenti në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe ish-deputeti i PD-së Flamur Noka thanë se policia nuk kishte arsye për t’i shoqëruar, për shkak se protesta ishte tejet paqësore.
Njoftimi i policisë pas protestës 21 Marsit
Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 6 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet Kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, ditën e sotme para parlamentit.
Veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor. Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 17 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas janë shpallur në kërkim. Është proceduar penalisht gjithashtu shtetasi G.B., organizator i protestës.
Janë arrestuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike” shtetasit:
– J.Gj., 24 vjeç, nga Shijaku;
– M.D., 24 vjeç, nga Mamurrasi;
– A.K., 20 vjeç, nga Rrësheni;
– B.D., 36 vjeç, nga Kavaja;
– E.M., 26 vjeç, nga Kavaja;
– D.P., 31 vjeç, nga Tirana.
Po punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme.
Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.