VALENTINA MADANI/ Socialistët kanë gati draftin me amendimet e ligjit të dekriminalizimit ku do të sanksionohet ndalimi i kandidimit për zyrtarët e lartë, si dhe deputetët, por dhe përfundimi i mandatit në rastet kur është i zgjedhur, për personat që rezultojnë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Në filtrin e autoritetit nuk do të kalojnë vetëm politikanët, por dhe një sërë zyrtarësh të tjerë përfshirë dhe gjyqtarët, prokurorë, zv/ministra, prefektë, si dhe funksionarë të tjerë të lartë. Me anë të këtyre ndryshimeve, socialistët kërkojnë shtimin e një neni në ligjin e dekriminalizimit për të ndaluar nga kandidimi, personat e shpallur “non grata” nga SHBAja, Mbretëria e Bashkuar apo vende të tjera perëndimore, si dhe ata që rezultojnë në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Do të jetë Autoriteti i Dosjeve që do të ngarkohet nga ligji që të skanojë të gjithë politikanët që kandidojnë për poste publike ose janë në detyrë nëse kanë qenë ishbashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Por, në sitën e autoritetit nuk do të kalojnë vetëm politikanët, por dhe një sërë zyrtarësh të tjerë përfshirë dhe gjyqtarët, prokurorë, zv/ministra, prefektë, si dhe funksionarë të tjerë të lartë.
Sipas dokumentit që disponon gazeta “Panorama”, në nenin 1 ku parashtrohet qëllimi i dekriminalizimit, ndalimi mbajtjes të posteve publike krahas personave ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jo përfundimtar për kryerjen të krimeve shkohet edhe ky paragraf. “Si dhe të personave që rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 ‘Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë’”, thuhet në dokumentin e PS-së.
I njëjti ndryshim shtohet edhe në nenin dy të ligjit ku sanksionohet se ky ligj synon mbrojtjen dhe garantimin i mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese. Ndërsa ndryshimi i nenit katër parashikon ndalimin për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit zgjat gjatë gjithë jetës për ata persona me të shkuar kriminale apo bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit. Nëse deri më tani neni 4 i delegonte fuqi vepruese vetëm Prokurorisë së Përgjithshme për aspektin kriminal e njëjta fuqi i jepet edhe autoritetit të dosjeve.
“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/ 2015 ‘Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë’”, citohet dokumenti i PS-së.
Ndryshimet në këtë ligj krahas politikanëve prekim një rreth edhe më të gjerë zyrtarësh. Personat, për të cilët Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit provon se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit nuk mund të emërohen apo zgjidhen në funksionet publike si në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj, gjyqtarë ose prokurorë, në postin e zëvendësministrit, në postin e prefektit, funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetues Shërbimin Informativ Shtetëror dhe shërbime të tjera informative përfshi policinë e shtetit. Por çfarë ndodh nëse zyrtarëve të sipërcituar u zbulohet dosja bashkëpunimit me ish sigurimin?
“Personave që janë duke ushtruar funksione të larta publike nga ato që përcaktohen në pikat 1 dhe 2 të këtij neni dhe provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit u ndërpritet mandati dhe shkarkohen nga detyra për këtë shkak ligjor dhe sipas procedurës përkatëse të shkarkimit të përcaktuar nga neni 10 ose neni 13 i këtij ligji”, thuhet në draft.
Për zbatimin e këtij ligji krahas formularit të dekriminalizimit personat subjekt i këtij ligji sipas nenit 15/1 do të duhet të plotësojnë një formular të dytë, kësaj here nëse kanë qenë apo jo bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit. Për ndryshimet e propozuara nga socialistët që lindën si nevojë pas denoncimit të ardhur nga Autoriteti i Dosjeve ku pretendohet që ish-Presidenti Ilir Meta ka qenë ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Por, për këtë nismë kërkohen ndryshime kushtetuese.
DOKUMENTI, ÇFARË PARASHIKON NENI 4 I DRAFTIT TË PS
-Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në Këshillin Bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/ 2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
-Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra.
-Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat, sipas këtij ligji.