Nga Sonila Meço
Ndërsa shihja pamjet me dron të namazit të Bajramit, që fillon me ngritjen e diellit nga horizonti derisa të arrijë në zenit dhe duke menduar për sakrificën e përkushtimin në agjërim të njerëzve e miqve të mi të afërt, kuptoj nga numri i madh i tyre nevojën e pashmangshme për të plotësuar një shkretinë shpirtërore.
Dhe në kulm të përpjekjes për t’i dhënë shpjegim rreshkjes kulturore e shpirtërore të një populli të varfëruar me gjithsej, shpërndarë si ‘mos o zot’ skajeve të botës, të shfaqen me kurajo mbresëlënëse disa artistë të vendit më të varfër në Europë, me të njëjtin tekst, me të njëjtën fabul, me të njëjtën regji në përpjekjen në tentativë për të të bindur se shterimi është në mendjen tënde, se kryeqyteti i vendit më të varfër në Europë pas dhjetë vitesh pushteti thuajse absolut në gjysmën e tyre është një mrekulli ku ata kthehen për të lënë gjithçka nga polet më të gjalla artistike të botës për të ‘shijuar’ qytetin e 238-të nga 254 në botë për cilësinë e jetës dhe të fundit në Europë edhe për ndotjen (Numbeo 2022).
Që artistë e persona publikë të mbështesin politikanë të caktuar është histori gati një shekullore. Me ndikimet pozitive e negative në rezultanten zgjedhore sipas teorive politike.
Por, vështirë (megjithëse jo e pamundur) të gjesh në këtë histori botërore, artistë që mbështesin pushtete të konsumuara në afera e skandale, status quo-në, kandidatë të përveçëm pa një kauzë në mes, që i identifikon.
Me gjithë respektin për llojin e cilësinë e artit të atyre, që më shfaqen në rrjetet sociale me insistimin e një logaritmi të sofistikuar, nga e njëjta dorë, duke u kërkuar shqiptarëve votën për aksh politikan, duke ua besuar ndjeshmërinë për qytetin që e konsumojnë edhe si të zakonshmit e tjerë rri e mendoj se përse presin komandë, kamera, regji dhe montazh skuadrash të organizuara pushteti sikur të jenë punonjës organigrame?! Me celularin, aparatin e tabletin e tyre, me fjalë zemre, nëse e ndjejnë pa i thirrur kush, mund të tregonin pse e duan qytetin e sotëm, cilat pjesë të tij, cilën filozofi drejtuese, që prodhoi muzë për artin e tyre dhe që e çmojnë aq sa të shfaqin hapur adhurimin për një lider.
Ose të na tregojnë kauzën, që mbështesin, investimet, që vibrojnë në energji krijuese qytetin, aty ku shprehin artin e tyre e jo fjalë të përgjithshme në sfonde të mjegullta, ku hapësira e ka të vështirë të vishet gjelbër a të zhvishet grije betoni, aq sa për të frymëzuar mahnitjen dhe buzëqeshjen 32 dhëmbëshe në kohë fushate.
Ose të na tregojnë se si kjo qeverisje dy mandatesh, njëri me pushtet absolut e ndihmoi artin e tyre, si e mbrojti trashëgiminë kulturore, si subvencionoi ngjarje kulturore, artistike cilësore, çliroi ‘çakrat’ e pluhurosura të militantizmit duke ia pastruar artistëve aurën nga ndikimi i pushtetit, apo rekrutimi politik i audiencës nëpërmjet artistëve të spinuar për qëllime pushteti.
Ose të na dëshmojnë pse artistit i duhet ky angazhim politik në fushatë elektorale pa asnjë kauzë konkrete, apo të besueshme, duke i krijuar fansave të tyre dasì përmbi lidhjen shpirtërore që kanë me ta dhe duke zhbërë çdo paragjykim mbi nevojën e ekzistencës së artit të tyre vetëm nga afrimiteti me pushtetin?
Ose t’i tregojnë publikut se përse duke iu përgjigjur një regjie monotone, me gatishmëri punëtori skene, janë kail të vënë suksesin e tyre si kolateral të pushtetit në vendin më të varfër e të korruptuar në Europë?
Ose të shpjegojnë pse sakrificën e tyre të jashtëzakonshme përmbi talentin për t’ia dalë kudo, në vend e botë janë kaq të gatshëm ta shkëmbejnë me një tekst të rëndomtë, të pabesueshëm dhe jo personal në favor të pushtetit, që është inferior ndaj mbështetjes me zemër e shpirt që publiku ka për artin e tyre?
Janë ditë shpirtërore, që përballjen me veten në dështimet e sukseset e saj, mëkatet e shërbimet e mira i masin në fije të perit edhe tek njeriu më i shteruar kulturalisht e i zvetnuar moralisht, duke u kujtuar qoftë për një ditë të vetme se për çfarë do mbahemi mend kësaj bote…
Jo për atë që kemi thëne e as atë, që kemi bërë, por për si i kemi bërë të ndihen njerëzit. Dhe artistët janë të bekuar qysh në krijim me këtë aftësi siç duhet ta dinë më mirë se rrogëtarët e tjerë se s’ka pushtet që të garanton dinjitetin dhe suksesin si artist. Si biznesmen po. Dashurinë e publikut jo e jo!
Sidomos në kohë shkretine shpirtërore e kulturore!
Atë shkretinë, që rrekemi ta gjallojmë me përkushtimin ndaj besimit, duke uruar që sakrifica e kryer ndershmërisht të shpërblehet për aq sa meriton. Besim ndaj një fuqie të përsosur, të drejtë e shpaguese për të gjithë. E që mund të adhurohet. Ama mos ngatërroni pushtetin me Zotin, adhurimi i përket veç këtij të fundit.
Reflektofshi në këtë Bajram të Madh edhe ju artistë të dashur, që Zoti ju bekoi bujarisht me talent për të ‘ujitur’ rreshkjen mbi tokë nga ‘zotat’ e vetshpallur.