Edi Rama foli dje nga Lushnja për Open Balkan. E mbrojti me fanatizëm këtë iniciativë të Aleksandër Vuçiq dhe madje ngriti në qiell votën serbe në OKB kundër invazionit rus në Ukrainë. U duk se mungonte kjo votë për ta rikthyer në vëmendje e në këmbnguljen e tij Open Balkan-in e Sorosit, iniciativë që e mbron aq shumë edhe anti-Sorosi, Richard Grenell?!
Kryeministri i Shqipërisë duket që mësë shumti është trembur nga agresioni i Vladimir Putin në Ukrainë për shkak të dështimit të Open Balkan, sesa për shkak të rrezikut rus në Ballkanin Perendimor. Ndërkohë ai ende beson se “Serbia nuk është më aleate e Moskës”! Para disa ditësh tha se nuk i dinte lidhjet e Beogradit me Kremlinin, ndërsa pas votimit të rezolutës në OKB nga ana e Serbisë hoqi dorë nga ajo që mësoi për qëndrimin pro-rus të presidentit dhe qeverisë serbe.
Nëse Edi Rama do të kishte mbrojtur me kaq pasion interesat e Shqipërisë e të Kosovës, siç mbron me entusiazëm adoleshentësh një votë spekullative serbe kundër luftës në Ukrainë, shqiptarët do të ishin tashmë jashtë çdo mundësie të ndikimit dhe rrezikimit të interesave të tyre nga Serbia dhe Rusia. Por jo! Ai bën të kundërtën. Mbron me këmbngulje e vendosmëri iniciativat dhe interesat serbe në rajon, me qëllim promovimin e Beogradit si aleat të Perendimit! Edhe pse vetë miku i tij, Vuçiq, e demanton, kryeministri i Shqipërisë vazhdon ta mbështesë pa kushte imazhin pozitiv të Serbisë.
Pak orë pas Edi Ramës, po dje mbasdite, presidenti Aleksandër Vuçiq deklaroi se pavarësisht votës kundër luftës në Ukrainë Serbia mbetet aleate e Rusisë. Ai refuzoi sërishmi që të përkrahë sanksionet europiane dhe amerikane kundër Moskës. Tha se nuk do të lejojë furnizimin me armë të Ukrainës përmes territorit të Serbisë. Tha se nuk do të ndalojë fluturimet ruse në hapësirën serbe. Dhe u ankua se Perendimi dëshiron ta anëtarësojë Kosovën në NATO. Madje shkoi deri atje sa të aludojë që Perendimi dëshiron ta largojë Rusinë nga Këshilli I Sigurimit, e me këtë hap të anëtarësojë Kosovën në OKB!
Shkurt ato që tha Rama disa orë më parë në Lushnjë i përgënjeshtroi brutalisht si-vëllai i tij në Beograd. Kaq e thjeshtë është loja e demantuar e Open Balkan-it të kryeministrit tonë. E keni parë si çirret dhe kërcënon kur flet për Open Balkan?! E ka tmerr dështimin e kësaj iniciative, megjithëse ajo është dublim dhe zevendësim i Procesit të Berlinit. Edhe Grenell mbështet Open Balkan thjesht për shkak të rolit të Gjermanisë në Procesin e Berlinit! Ndërsa Rama e ka bërë këtë proces dalje me kohë. Të dyja këto iniciativa promovojnë lirinë e lëvizjes, qarkullimin e lirë të mallrave, tregtinë e lirë, pikërisht ato objektiva që kanë përcaktuar Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria për Open Balkan. Por zgjedhja e Beogradit, Tiranës zyrtare dhe Shkupit zyrtar nuk është Procesi i Berlinit! Eshtë procesi i Novi Sadit!
Pikërisht kjo qasje ka bërë që politika shqiptare të jetë e përçarë dhe mosbesuese. Kundërshtarët e Open Balkan shtohen çdo ditë. Dje është shprehur kundër tij gjithashtu kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferri. Opozita në Shqipëri ka përgatit një rezolutë për ta refuzuar dhe hedh poshtë Open Balkan, duke argumentuar se iniciativa të tilla nuk mund të ndërmerren e përkrahen nga qeveria shqiptare me një vend aleat të Rusisë në kushtet kur Kremlini ka sulmuar ushtarakisht një vend të pavarur! Ndërsa për ta kundërshtuar këtë argument, Edi Rama ngre në qiell aktin formal e mashtrues të Beogradit për votën e Serbisë pro-rezolutës në OKB! Këtë votë Rama e përdor me intrigën e nxjerrjes në pah të meriave të tij! Ndërkohë ai ka mbyllur dyert e parlamentit, sepse nuk dëshiron të përballet së paku para 6 marsit me opozitën reale të këtij vendi!
Megjithatë ai e Aleksandër Vuçiq e kanë arritur qëllimin minimal të iniciativës së Procesit të Novi Sadit dhe Beogradit! Kanë arritur ta përçajnë klasën politike shqiptare jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut. Kosova është thuajse e unifikuar në qëndrimin e vet kundër Open Balkan. Në kushtet e luftës në Ukrainë u shuan edhe zërat e Behgjet Pacollit e të socialdemokratëve destruktivë të Prishtinës pro tij. Në Maqedoninë e Veriut zërave kundër iu shtua ai i kreut të Parlamentit. Në Tiranë opozita e vërtetë e vendit, pra ajo e Komisionit të Rithemelimit të PD-së, është në aksion politik kundër iniciativës serbe! Dhe kjo po ndodh për herë të parë! Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është gjthashtu kundër Open Balkan!
Për pasojë duhet thënë se Edi Rama me mbështetjen e patericave politike të tij po luan kalin e Trojës së Serbisë për përçarjen e faktorit politik shqiptar në Ballkan. Këtë objektiv e nisi me angazhimin që pati para patër vitesh e deri në vitin 2020 për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Të gjithë e dimë sesi punoi me pasion kundër interesave të Kosovës dhe e përçau ekstremisht skenën politike shqiptare!
Ky është misioni dhe kjo është puna më e mirë që di të bëjë Edi Rama: Përçarja! Të tjerat s’kanë më rëndësi për të. Prandaj dhe është i përzgjedhuri dhe i preferuai i përhershëm i politikës së Beogradit! Por uji po shterron në mullirin e tij! Shpejt do të ikë edhe Aleksandër Vuçiq dhe Ramës nuk i mbetet partner tjetër për aventurën e tij anti-shqiptare e pro-serbe!