Pse mbijeton Rilindja

0
29
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

 

Nga Gelanda Shkurtaj

Qeveria që drejton sot vendin erdhi në pushtet me një vullnet maxhoritar të shqiptarëve në qershorin e vitit 2013. Njerëzit ishin shpresplotë se drejtuesi i saj, një djalë i lindur dhe i rritur në Tiranën me mirëqenie pedagog i Institutit të Lartë të Arteve, i spikatur në vitet ’90 për idetë e tij antikonformiste, si një ndër mentorët e revoltës studentore dhe kundërshtar i diktaturës, do të bënte ato ndryshime, që kaq shumë i kishin munguar Shqipërisë në kalvarin e saj të tranzicionit, nga diktatura  në demokraci. U votua sepse u besua fort se në ndryshim nga qeveria që la pas, tashmë politika shqiptare do të kishte në grahmat e fundit të saj lëkundjet midis korrupsionit dhe ndershmërisë, nuk do të kishte më rrotacion të administratës publike, do të kishte drejtues apolitikë dhe të përgatitur, të cilët, larg mendësisë mediokre dhe hakmarrëse, thjesht do të punonin dhe bënin detyrën, për të cilën populli i kishte votuar. U votua sepse u besua fort se gabimet e politikës së vjetër të posttranzicionit, e personifikuar në ekstreme si polet e rruzullit nga kundërshtarët Nano-Berisha, nuk do të kishte më strehë nën qeverisjen e një vizionari pragmatist, i cili kishte njohur dhe administruar politikën shqiptare si bashkëkohës i tyre, por duke e shpallur veten si një model krejtësisht i kundërt në planin strategjik dhe atë drejtues.

ÇFARË BËRI RILINDJA NË GJASHTË VITE PUSHTET?

Në një përmbledhje të shkurtër, problemet tashmë retorike të mosqeverisjes dhe kriminalitetit, ku shteti, si asnjëherë më parë është bashkëpunëtor i zyrtarizuar, po ngërthejnë çdo aspekt të jetës, deri edhe lirinë e fjalës dhe ku në fund shumatorja përmbledhëse është: “Paaftësia, gënjeshtra, korrupsioni, me pak fjalë amoraliteti, janë ulur këmbëkryq”. Implikimi i drejtpërdrejtë në kultivimin e lëndëve narkotike dhe në trafikun ndërkombëtarë të tyre, keqpërdorimi me dashje i fondeve publike nëpërmjet partneriteteve publike private (PPP-të), pretendimi se nëpërmjet reformave po bëhet shtet, ndërkohë që po përdoren për të realizuar qëllime klienteliste, mosrespektimi i ligjit (në rastin më të mirë) dhe krijimi i ligjeve “sipas trupit” në rastin më normal, mungesa totale e investimeve afatgjata, përjashtuar disa arnime të investimeve të pambyllura nga qeveria paraardhëse, janë vetëm disa nga elementët e “suksesit”.

Të gjithë këta tregues po dalin përditë si dëshmitarë të papërgjegjshmërisë totale, të fundosjes së vendit në borxhe, që nuk dihet sa breza do të duhen për t’i shlyer, deri në atë pikë sa është e vështirë të vendosësh demarkacionin se, këtyre zotërinjve që miratojnë ligje e firmosin qitapë, ku iu mbaron mosdija e ku iu fillon pabesia? Lidershipi i qeverisë është tejet i qetë në këtë aspekt, madje, ai është i bindur në rrugëtimin e tij, pasi partia dhe qeveria që drejton jo vetëm nuk e kundërshtojnë, por qeshin me shakatë dhe batutat afrodiziake, e mbështesin dhe e mbrojnë, madje nuk ka asnjë zë kundërshtues. Një replikues, me të drejtë, do pyeste nëse ka pasur gabime dhe probleme edhe në qeverisjet e tjera dhe, në fakt, përgjigjja është, po. As nuk ka dyshim për këtë, por ajo çfarë solli të re kjo qeveri dhe për këtë i duhet njohur roli i primatit, gjë që nuk e bëri as diktatori Hoxha, është se as në asnjë rend kushtetues nuk i është ulur prestigji shtetit dhe ligjit në këto standarde; askund nuk është investuar për të rrënjosur mosbesimin ndaj shtetit në nivel institucional; askund shteti nuk ka qenë në vetë parë (mund të ketë qenë ideator) ekzekutor i veprave penale, sa për të përmendur një të fundit, kujtojmë vjedhjen e votave. Është keqardhje të mendosh se si poezia politike e Fishtës dhe Konicës janë kaq aktuale në Shqipëri, aq sa mund të deduktosh pa frikë se në njëqind vitet e fundit nuk paskemi bërë asgjë.

KU ËSHTË SOT PARTIA SOCIALISTE?

Shqetëson në tërë këto vite mendimi se si është e mundur që partisë më të madhe në vend t’i kenë munguar kuadrot dhe intelektualët që kanë ditur dhe pa dyshim do të dinin si të drejtohej Shqipëria. Ku ndodhen sot socialistë si Namik Dokle, Rexhep Mejdani, Ermelinda Meksi, Arta Dade, Maqo Lakrori, Arben Malaj, e shumë të tjerë, të cilët, paçka orientimit politik nga nisemi, duhen pranuar se në përgatitje, drejtim, integritet në fund të fundit në staturën e tyre politike, ishin dhe mbeten vite drite larg modeleve të rinj, të cilët u katapultuan në drejtimin e kësaj partie dhe për pasojë të kësaj qeverie, pa pasur asnjë meritë as si profesionistë dhe as si politikanë. E vetmja meritë që iu shkon sot përshtat, këtyre të fundit, është të qenurit krijesa amorfe dhe të lakueshëm si qenie pa bosht. Ç’të bësh, termodinamika qenka universale! Do të kishte qenë në nderin e kësaj force politike që të kishte bërë e para luftën për rrëzimin e modeleve amfibe që mbolli rilindja në ekzekutiv, në legjislativ dhe në gjyqësor. Këtë, Partia Socialiste duhet ta bënte, jo më e ndikuar për të rregulluar problematikat apo organigramën brenda saj, por ajo duhet ta bënte si një mision dhe si një detyrim moral ndaj shqiptarëve, të cilët nuk do t’ia falin kurrë faktin që mundimet me gjak dhe sakrifica të këtyre viteve tranzicioni, për të vënë një demokraci sado të brishtë, iu vunë shqelmin vetëm për hatër të një klike, të cilin ajo nuk ishte e zotë që ta largonte.

Edhe pse sot nuk ka asnjë rrethanë që të bën të besosh se do të ketë një ndryshim strategjie në bërjen e politikës, ajo që mundon shumë shqiptarë dhe mbi të gjitha intelektualët e këtij vendi, duke marrë shkas nga shkrime, intervista e opinione të tyre, rrotullohet rreth faktit përse nuk largohet qeveria-Rilindje?

Por, kush do ta largojë Rilindjen? Këtu lindin vetëvetiu tri pyetje: do të iki qeveria vetë, do ta bëjnë ndërkombëtarët apo do ta bëjë elektorati shqiptar?

Për sa i përket pyetjes së parë, kemi argumentime pa fund se kjo qeveri jo vetëm që nuk ikën, por nuk ka dhënë asnjë shenjë apo sinjal pendimi dhe vrasje ndërgjegje për gjendjen, në të cilën ka çuar vendin e saj, në vitin 2019, vit në të cilin Maqedonia e Veriut e Zaevit, fqinja jonë e sapodalë nga lufta të vështira, sot po hap negociata për në BE dhe pas pak do të jetë pjesë e saj. Lind e drejtë pyetja po ndërkombëtarët çfarë po bëjnë, si nuk po reagojnë ata, jo thjesht sepse vendi ynë ka probleme, pasi të tilla kemi pasur e do vazhdojmë të kemi, por sepse qeveria që po drejton vendin po del haptas, duke devijuar politikën e BEsë dhe SHBA-ve, në zbatim të interesit të saj për drejtimin e bazuar në një sistem monist dhe totalitar. Por, a nuk ishte faktori ndërkombëtar ai që nuk kishte dashur kurrë riinstalimin e diktaturës në këtë vend?!

Atëherë, pse kjo heshtje, pasi problemet çdo ditë janë duke u thelluar shumë, madje sot po sanksionohet fjala e lirë edhe lëvizja e lirë. Është e thjeshtë të argumentosh se ata, ndërkombëtarët, nuk do të zgjidhin hallet në shtëpinë tonë, por është po aq e vërtetë se ne shqiptarët, diku të ndikuar nga vogëlsia jonë, diku nga paaftësia, diku nga historia, por që gjithsesi, në mënyrë të pamohueshme, jemi asistuar në të gjithë periudhën e tranzicionit politik nga një mbështetje konstante e tyre. Është e vështirë të japësh një përgjigje, por është fakt se përkrahja e ndërkombëtarëve është e munguar, dhe jo vetëm kaq, por sot ata përfaqësohen në disa institucione, nga individë që jo vetëm nuk po menaxhojnë situata politikisht të ndërlikuara, por janë vendosur në krah të kësaj qeverie, duke e dhënë të pastër mesazhin se e mbështesin atë. Asnjë motiv, sado i sofistikuar dhe i përligjur të ishte, nuk mund të na bëjë të ndihemi inferior dhe nuk mund të fshehë gabimet fatale të qeverisjes, si edhe faktin e pasigurisë totale të së sotshmes, jo më të së ardhmes, në Shqipëri.

POR, ÇFARË NGELET PËR TË BËRË?

Rilindja nuk ka asnjë rimendim për strategjinë e saj, fajtorët, sipas tyre, janë në “kazanin” mediatik (atë që nuk ka uzurpuar akoma) dhe tek armiku i klasës, që personifikon mendimin kundërshtar ndaj politikës së saj. Madje, jo reflektim që nuk bën, por ne jemi të freskët nga zgjedhjet antidemokratike të 30 qershorit, ku u trumbetua fitorja e tejskajshme. Elektorati i djathtë dhe i qendrës ka bërë shumë tubime në formë proteste, të cilat kanë rënë në vesh të shurdhër. Mos ndoshta duhet ta bëjë vetë elektorati i majtë? Atëherë, nëse po, përse nuk e ka bërë apo pse nuk po e bën elektorati i majtë? Këtu lind një dilemë e madhe, sepse nuk është një situatë e thjeshtë për t’u kuptuar dhe sqaruar. Gjykoj se e majta shqiptare sot ka një çorientim total e marrë pikësëpari në planin ideologjik, ku duke u nisur që nga përkufizimi dhe gjeneza e saj, ajo duhej të ishte një parti përfaqësuese e shtresave të mesme dhe të varfra në interesat dhe në prospektivët e tyre. Në fakt, ajo tashmë po përdor bazën e saj për të mbrojtur interesat e lidershipit apo mbështetësve të lidershipit, të cilët udhëtojnë me Suva dhe pulsin e dorës e kanë të mbuluar me “Rolex”. Të majtët shqiptarë sot evokojnë Enver Hoxhën dhe shohin një lidhje midis figurës së tij dhe liderit aktual të saj, ku midis tyre ka shumë syresh nga bota e biznesit të ardhur nga rrethet, si edhe nga bota e televizionit ku ka edhe “Miss”-e. Për kë e ka jetuar sadopak atë kohë, kujton qartë se kapitalizmi nuk ishte i lejuar, prona ishte e gjitha publike dhe për të jetuar në Tiranë të duhej “vizë” ose e thënë me gjuhën e kohës pasaportizimi. Për “Miss”-et iu kujtoj se po të nxirrje “trupin”, kishe nxjerrë me skoda të mbuluara gjithë familjen për tërë natën, në rrethin më të largët në internim. Sinqerisht, nuk justifikoj, por më mirë rrekem të kuptoj kontekstin social-politik të së kaluarës, sesa qëndrimin e sotshëm ku jemi edhe të majtë, edhe borgjez, edhe kapitalist, edhe mbrojmë të varfrit, edhe liberalë, edhe konservatorë. Dhe në fund, nuk kujtoj që diktatori Hoxha të dilte në publik me shallvare.

Fakti që Shqipëria nuk e ndau historinë postdiktatoriale nga kjo e fundit, përveçse një borxh ndaj klasës së përndjekurve politikë, është një borxh ndaj vetë shqiptarëve, të cilët, edhe pas tridhjetë vjetëve, janë të paqartë në atë që duan dhe atë që kërkojnë. Vaclav Havel, i cili burgun e jetoi mbi kurrizin e tij, me mendjen e poetit që ai ish, thoshte se për të bërë ndryshime të mëdha, duhet të dish çfarë “muzike” do zgjedhin masat, edhe pse këto të fundit, as vetë s’e dinë çfarë muzike do këndojnë vitin e ardhshëm. Antagonizmat politikë, të cilat është shumë e drejtë të bashkëjetojnë në një demokraci, në Shqipëri nuk kanë qenë kurrë ideologjike apo të nisura nga interesat legjitime prej homo sapiens-i që duan të jetojnë e punojnë normalisht. Po cilat do të ishin këto interesa që e çojnë përpara kutisë së votimit një individ? Ato janë: punë, shëndetësi, arsimim, rend publik, transport publik e të tjera si këto, por elektorati shqiptar vazhdon edhe sot e kësaj dite, të sillet përpara kutisë së votimit, me të njëjtin tifozllëk si në ndeshjen Partizani-Skënderbeu, ku pëlqimi ndaj njërit apo tjetrit kah, është thjesht një dëshirë, deri edhe e pamotivuar, por asnjëherë e bërë mbi bazat e arsyes ku unë do të zgjedh qeverisjen e cila, paçka preferencës, drejton më mirë interesat e mia si qytetar i atij vendi. Kjo shkon edhe më tej, deri në sjelljen më mediokre, ku sipas logjikës së disave, edhe pse e dimë që jemi keq, votojmë të keqen se nuk duam kundërshtarin politik. Sigurisht, këtu bëjnë përjashtim grupet, të cilat te partia e zgjedhur kanë shtrirë interesat e tyre ekonomike dhe financiare.

SHQIPTARËT DHE KOHA E KONSUMIZMIT

Dhe nuk është vetëm kjo. Shoqëria shqiptare gjendet gati e polarizuar në dy ekstreme, ku në njërin kah qëndrojnë thjesht për të përmendur disa: intelektualët e vërtetë (edhe pa tituj), mësuesit e ndershëm, punëtorët e bujqërit, që ndoshta me shumë vështirësi përballojnë një jetë frenetike drejt konsumit, dhe në anën tjetër ata të pasuruarit me çdolloj forme dhe mjeti, pa asnjë lloj skrupulli apo merite. Për hir të së vërtetës, edhe ne jemi të përfshirë në kohërat e globalizmit ekonomik dhe kulturor, ku interesat për jetën e luksit, celularin e fundit, may back-un e “Mercedes”-it, sëmbojnë miklimin e të shumtëve. Modeli i biznesmenit me makinë luksoze, i cili ka në krah vajzën bukuroshe dhe ku çmimi i veshjeve të marrë së bashku, barazohet me pagën e gjithë familjes për dhjetë vjet të një punëtori, është idhulli i të rinjve në mbarë botën. Rreth tri vite më parë u nda nga jeta njëri prej sociologëve më të mëdhenj të kohërave moderne, Zygmunt Bauman, pedagog sociologjie në Universitetin e Leeds-it të Mbretërisë së Bashkuar, i cili jetën e tij të gjatë e jetoi me eksperienca nga më sfidueset. Kjo mendje e ndritur, duke analizuar sjelljen humane, gjykonte se në kohërat “e shoqërisë së konsumit dhe modernitet likuid”, revolucionet nuk do të bëhen më për miellin dhe për bukën. Sot, nënthoshte Bauman, ato bëhen për llojin e celularit, programin e fundit të implementuar në të, për modelin e fundit të makinave. Dhe, në fakt, ka të drejtë, sot padija është me makinë luksoze dhe me vila, e cila e ndodhur në një epokë konsumi ku gjithçka matet me para dhe jo me vlera, është vështirë të pretendosh që të kuptojë se ku rreh hekuri i propagandës së një qeverie.

Një komik italian, vite më parë, tha se krizën e Italisë e kishte sinjalizuar prej vitesh gazeta britanike “Financial Times”, po kush e lexonte atë në Itali? Shih sa kopje shet revista “Chi”!. Në fakt, kjo revistë është simotra e plotë mediave të shkruara dhe audiovizive në Shqipëri, në të cilat flitet për vipat dhe jetën e tyre luksoze, se kë yacht blenë, se cilin të dashur braktisën, se me cilin vip u dashuruan, se ku e vunë botox-in këtë vit, madje ftohen të japin edhe njohuritë e tyre globale duke mbushur panele diskutimesh me tema të mprehta për ekonominë, që variojnë nga llojet e çantave deri te bamirësia dhe dhembshuria e veçantë e tyre ndaj qenve dhe maceve. Ne nuk bëjmë përjashtim, përpos problemeve të pazgjidhura të së kaluarës, identitetit pa trajtë midis së majtës komuniste dhe asaj borgjeze, midis të pasuruarve që nuk dinë pse kanë para dhe njerëzve të zakonshëm, që ndoshta nuk mbyllin dot muajin, ne jemi të projektuar, dashur pa dashur edhe në sotshmen. Epoka e likuiditetit modern kërkon “thikën në palcë” që të kuptosh sa keq ke rënë, për të pasurit, dhe nënkupton “mosngritjen e zërit” për ata që ulin kurrizin dhe punojnë ndershmërisht, sepse nuk ia dalin dot. E thënë në një gjuhë tjetër, është e vështirë të pretendosh që këto ekstreme kategorish të bashkojnë interesat e tyre në një qëllim të vetëm, dhe faktori kohë është determinant, pasi realisht jemi jo vetëm keq, por kemi instaluar mekanizmat e kthimit mbrapsht dhe këto fakte ishin të mjaftueshme për të na çuar vite më parë në largimin e një qeverisje të paaftë.

 

Zjarr Tv Ad