“Pse më ofendove, të kisha ndonjë borxh?”, zbardhet dëshmia e burrit që vrau fqinjin

0
49
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Martinin e vrava teksa ndodhesha në gjendje të dehur, pasi më herët më kishte ofenduar shumë rëndë”. Kështu ka deklaruar para togave të zeza Ndue Zefi, qe vrau me arme fqinjin e tij ne Durres, teksa u rimor në pyetje nga hetuesit.

Gjatë rimarrjes në pyetja ai ka deklaruar:

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Unë isha në gjendje të dehur dhe i papërgjegjshëm. Tashmë që jam më i qetë, ndihem shumë i penduar për veprimin tim aspak normal. Historia është kjo: Unë punoj si shofer me një firmë. Atë ditë (të shtunën) kisha marrë rrogën. Nga pasditja shkova te lokali dhe po pija vetëm në një tavolinë. Pas disa orësh, në lokal hyri edhe Martini, me të cilin sikurse theksova, kishim njohje të vjetra që kur kishim jetuar në fshatin Adriatik të Laçit disa vite më parë. Duke qenë se njiheshim, e ftova të më bashkohej në tavolinë, por ai nuk pranoi, madje më përbuzi. Aty nisi gjithçka. Unë i kërkova llogari në njëfarë mënyre, ndërkohë Martini, edhe pse konstatoi se isha në gjendje të dehur, vazhdoi të më përbuzte dhe ofendonte. Aty ndodheshin edhe persona të tjerë, me të cilët kishim njohje. Martini më shau nga nëna, motra dhe gruaja, s’më la gjë pa thënë. “Shko re pijanec, do ulem unë me ty, ti një copë shofer je, kurse unë biznesmen. Nuk e ul unë veten të rri me ty etj., etj.”. Në këto kushte, unë u preka shumë. Për më tepër, mbeta shumë i ofenduar. Ashtu sikurse isha në gjendje të dehur, shkova në shtëpi dhe mora armën. E prita aty në afërsi të shtëpisë. Në momentin që erdhi, i them pse më ofendove, të kisha ndonjë borxh? Ai prapë m’u kthye në të njëjtën mënyrë, duke më sharë nga njerëzit e familjes. Aty nuk durova dot dhe e qëllova disa herë, duke e lënë të vdekur në vend”, ka deklaruar Zefi për motivin, ndërsa sqaroi edhe momentin e arratisjes dyditore.

37-vjeçari kishte planifikuar të largohej drejt Greqisë, por kishte frikë se mund të ndalohej nga Policia në Pikën Kufitare të Kakavijës.

“Pas ngjarjes mora makinën dhe doja të ikja në Greqi. Pa arritur në Fier, hodha armën dhe më pas shkova në Gjirokastër. Desha të kaloja kufirin, por kisha frikë mos ishte lajmëruar Policia dhe më arrestonin në Kakavijë. Kështu, u ktheva mbrapa. Shkova në Shkodër për të kaluar në Malin e Zi, por edhe aty mendova të njëjtën gjë, pasi Policia e Durrësit më kishte shpallur në kërkim dhe detyrimisht ishin lajmëruar pikat kufitare. Në këto kushte, e pashë vetën ngushtë sepse nuk u largova dot nga Shqipëria. Vendosa të vetëdorëzohem. Shkova në komisariat dhe tregova gjithçka”, mësohet të jetë shprehur 37-vjeçari

Zjarr Tv Ad