Dalin detaje të reja lidhur me masakrën me një të vrarë dhe pesë të plagosur, të ndodhur mesditën e kësaj të enjteje në Kavajë.
Teksa policia konfirmoi arrestimin e pesë personav, Marjus Alia i dyshuar për ngjarjen i cili mbeti gjithashtu i plagosur, ka treguar në polici se si nisi sherri.
“Shkuam për tu sqaruar me vëllezërit Hyka pas sherrit që patën me vëllanë, por ata na shanë prapë, kështu që humbëm toruan”, ka thënë ai.
Gjithçka kishte ndodhur për shkak të një shikimi shtrenbër mnes Eraldo Hykës dhe Ardian Dedejt me Denis Aliun jashtë ambienteve të një marketi në qendër të qytetit.
Pas kësaj Denis Aliu qëlloi me grusht Ardian Dedejn dhe shau Eraldo Hykën. Por për shkak se bashkëshortja e Dedejt dhe fëmijët ishin brenda në market, sherri u mbyll në moment.
Ndërkohë masakra ndodhi një ditë më vonë, teksa kërkohej “sqarimi”.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 12:20 të kësaj të enjteje, në lagjen Nr.4, në afërsi të Teqese në Kavajë, pas një konflikti për motive të dobëta mes disa personave, ku u përdorën dhe armë zjarri dhe për pasojë humbi jetën një kalimtar si dhe u plagosën 5 të tjerë u arrestuan pesë të dyshuarit:
– Marjus Aliaj, 31 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr. 1 Kavajë, për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
– Ardian Dedej, 43 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 4 Kavajë, (i dënuar më parë), për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë’ dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”;
– Eraldo Hyka, 22 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 5 Kavajë, për veprat penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”;
– Qazim Merkja, 25 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 5 Kavajë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”;
– Agron Kollçaku, 39 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen Nr. 6 Kavajë, për veprat penale të “Moskallëzim i Krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit Denis Aliaj, 33 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Nr. 1 Kavajë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave”, “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë’ dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Aktualisht grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale tre automjete, të cilat janë përdorur nga autorët e dyshuar, aparate celular, fishekë luftarakë si dhe një sërë provash të tjera, të cilat janë dërguar për ekzaminim të metejshëm laboratorik.
Nga veprimet e kryera deri tani rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ku shtetasit Eraldo Hyka, Ardian Dedej dhe Qazim Merkja, janë konfliktuar me shtetasit Marjus Aliaj dhe Denis Aliaj, konflikt, i cili është përshkallëzuar deri në përdorim të armëve dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme një kalimtar i rastit shtetasi Ramazan Haslliu, 52 vjeç banues në Kavajë, si dhe janë plagosur shtetasit Ardian Dedej, Eraldo Hyka, Arben Ajdini, Sali Merkja, dhe Marjus Aliaj, të cilët kanë marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë Elio Hyka, i cili është vëllai i Eraldo Hykës është shoqëruar dhe më pas është lënë i lirë, pasi mendohet se nuk ka lidhje me ngjarjen.
Aktualisht vijon puna për grumbullimin e informacioneve dhe provave të tjera, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Kavajës për ndjekje të mëtejshme.
Sipas policisë, autorët e dyshuar të ngjarjes janë dy vëllezërit Marjus dhe Denis Aliaj, të cilët kanë një biznes exchange. Marjus Aliaj mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur ndërsa është shpallur në kërkim autori tjetër i dyshuar, Denis Aliaj.
Mësohet se vëllezërit Hyka dhe Aliaj kanë pasur konflikte të mëparshme me njëri-tjetrin dhe ditën e sotme janë ulur në një lokal për t’u sqaruar, ku konflikti ka degraduar në nxjerrjen e armëve.
Raportohet se Marjus Aliaj ka qëlluar me armë në drejtim të vëllezërve Hyka por plumbat kanë kapur kalimtarin Ramazan Haslliu, i cili kishte dalë për të blerë bukë dhe u vra me bukë në dorë.