Pse merret me mua, Sali Berisha?

0
103
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Carlo Bollino

Berisha është njeriu i gënjeshtrave dhe i obsesioneve. Në të largëtin 1991 mori drejtimin e Partisë Demokratike duke gënjyer studentët, të cilët rrëzuan regjimin pa atë, dhe njëkohësisht duke mashtruar themeluesit e tjerë të forcës së parë opozitare, duke iu paraqitur si njërës palë, ashtu dhe palës tjetër si dhe opinionit publik kombëtar dhe ndërkombëtar, si lideri i parë antikomunist në vend. Në të vërtetë, siç me mijëra dëshmitarë të kohës e dinë mirë, ishte vetëm një komunist i maskuar që nuk pati asnjë meritë në rrëzimin e regjimit, veç aftësisë për të krijuar një të ri në vend të tij, duke e quajtur “demokratik”. Që atëherë Berisha është i persekutuar nga sëmundja e dytë e tij, nga obsesioni për të vërtetën. Urren cilindo i çjerr të shkuarën e tij dhe natyrën e vërtetë që ka, cilindo që nuk i bindet në mënyrë të verbër, cilindo që nuk është i gatshëm të gënjejë për të konfirmuar gënjeshtrat e tij.

Mes obsesioneve të tij jam edhe unë, një gazetar, tek i cili urren logjikën, inteligjencën dhe të vërtetën e rrëfimit. Kur më deklaroi “non grata” në vitin 1995, kishte në dorë të gjithë pushtetin e një Shteti për të gjetur kundër meje prova të një mijë krimeve për të cilat më akuzonte. Por ne fakt pranoi rikthimin tim në Shqipëri duke pretenduar në këmbim vetëm një gjë: Dorëheqjen time si drejtor nga gazeta që kisha themeluar. E dinte shumë mirë që isha një njeri i ndershëm dhe me integritet dhe që nuk kisha bërë trafik droge, nuk kisha punuar në shërbime sekrete, nuk kisha bërë trafik armësh, nuk isha kreu i mafias, nuk isha Carlo-malavita, dhe gjithë epitetet që shpiku për mua në vite. Ai në të vërtetë dëshironte vetëm të më mbyllte gojën duke më hequr gazetën që pata krijuar, sepse kishte frikë nga e vërteta ime. Dhe mbi të gjitha, nga fakti se shumë më besonin dhe më besojnë.

Fatkeqësisht për të, u riktheva në Shqipëri si gazetar i lirë, dhe si gazetar i lirë munda të shkruaja te Shqiptarja.com dhe report TV intrigat e kryera nga qeverisja e tij. Përfshi ato të bëra në favor të dhëndrrit për t’i privatuzuar të vetmin kompleks sportiv të pranishëm në Tiranë, duke e transformuar në 19 kulla; dhe shumë nga marrëdhëniet e vajzës së tij dhe pjesës më të madhe të biznesmenëve që vinin në Shqipëri pas 2005, të cilët për të marrë favore nga Berisha kryeministër, duhej të paguanin faturat e konsulencës në studion ligjore të Argitës (të maskuar mbrapa emrit të një shoqes së klasës) . Në ndryshim nga shumë gazetarë “investigativë” që publikojnë mesazhe whatsapp policësh apo kriminelësh, Shqiptarja.com dhe Report TV bënë një investigim të vërtetë dhe publikuan me dhjetëra dokumenta që janë prova reale të akuzave të përmbajtura në shkrimet e publikuara. Mes biznesmenëve me të cilët Argita dhe bashkëshorti i saj kanë bërë afera falë ndihmës së qeverisë Berisha, ishte dhe serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, mik familje i Berishës dhe perfitues i favoreve të pafundme nga ana e qeverisë së tij.

Serioziteti me të cilin kryem ato investigime, ka lënë pa fjalë edhe vetëm Sali Berishën, i cili është i bindur se edhe ato prova të grumbulluara nga ne janë përdorur bashkë me materiale të tjera nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe nga Britania e Madhe, për ta deklaruar person “non grata”. Të jem i ndershëm, unë nuk e di nëse është vërtetë kështu (nuk jam kontaktuar nga asnjë autoritet amerikan apo anglez për të konfirmuar atë që kemi shkruar) edhe pse është e afërmendsh që për një gazetar do të ishte një medalje e bukur, nëse është vërtetë kështu. Dhe është edhe e lezetshme të besosh se pasi u deklarova (padrejtësisht) person “non grata” nga Berisha, të jem pikërisht unë që kam kontribuuar për ta deklaruar person “non grata” atë. Një lloj ligji “i kundërpeshës” do të shprehej Dante Alighieri.

Pavarësisht faktit se si i kanë përdorur amerikanët dhe anglezët, ato investigime me dokumente dhe dëshmi, përmbajnë provën e pakundërshtueshme të korrupsionit të Sali Berishës dhe të familjes së tij që edhe SPAK po përdor tani në hetimet që po kryen. Eshtë vetëm kjo arsyeja që e shtyn Berishën të më demonizojë dhe të më transformojë në obsesionin e tij: Urren të vërtetën që tregoj. Dhe urren faktin që dhjetëra mijëra shqiptarë më besojnë, duke përfshirë me sa duket autoritete amerikane dhe angleze.

Për këtë arsye rreshton (dhe financon) dhjetëra “gazetarë”, “analistë”, portale e deri televizione duke u përpjekur të më ulin reputacionin. Dhe sot, sikur të ishin prova kundër meje, përmend po ato shkrime të porositura e të paguara nga vetë ai. Në të njëjtën mënyrë pretendon pafajësi të familjarëve të vet apo të Damir Fazlliçit duke përmendur vendimet e marra nga prokurorë apo gjykata të kohës, që ai i kontrollonte totalisht. Berisha vazhdon të gënjejë deri në atë pikë që sot përballë një çete adhuruesish të vet, është betuar që nuk kishte asnjë lidhje jo vetëm me banda apo me histori korrupsioni familjar dhe qeveritar, por as me skandalin e firmave piramidale!!

Beson se shqiptarët mund të mashtrohen përsëri si 30 vite më parë, kur tregonte se kishte çliruar Shqipërinë nga komunizmi, por që në fakt zëvendësoi komunizmin me “demokracinë” e tij personale, duke ja vjedhur popullit edhe domethënien e kësaj fjale të shenjtë, të ëndërruar për 45 vite.

Zjarr Tv Ad