Analisti Fatos Lubonja, është shprehur se kryeministrit Edi Rama i ka dalë situata me ish-ministrin Arben Ahmetaj jashtë kontrollit dhe sipas tij, për këtë arsye edhe e ka lëshuar.
Lubonja tha se rezulton se në vitin 2020 ka pasur një sherr mes Arben Ahmetajt dhe biznesmenit Klodian Zoto.
Ai tha gjithashtu se Rama dyshon se Ahmetaj ka qenë personi që ka çuar të dhënat për aferën e inceneratorëve aty nga ku doli ngjarja.
“Rama kishte një vit që e kishte lëshuar politikisht Ahmetajn. Dihet se shkaqet mund të jenë dy, të lidhur me njëri-tjetrin. Zhurma e inceneratorëve dhe lidhjet e Ahmetajt me Zoton e Mërtirin. Shkaku i dytë është se Ahmetaj u lëshua sepse Rama donte ta lëshonte për prishje të pazareve dhe ai ka çuar të dhënat aty nga ku doli ngjarja. Fakti është që pasi fillon hetimi i Ahmetajt nga SPAK, me vonesë dhe në mënyrë të çuditshme, duke mbajtur erë hakmarrjeje nga Rama.
Ndodhi diçka tjetër dhe në hetimet e SPAK, ku del sesi kartat e kreditit të Zotos e Mërtirit janë përdorur për udhëtime të Ahmetajt, rinovime shtëpie, etj. Këto janë paratë e Ahmetajt në një farë kuptimi. Në këtë histori del se në vitin 2020 ka ndodhur një sherr mes Zotos dhe Ahmetajt. Ajo që del në tërësi është se ka një skemë të filluar që kur kanë ardhur në pushtet socialistët, se si do tërhiqen para publike për t’iu dhënë këtyre personave dhe për t’u shpërndarë për të paguar fushata elektorale, media, njerëz, etj.
Këtu ka një zullum të trashur dhe vetvetiu do këputet. Edi Ramës i ka dalë situata jashtë kontrollit. Këto i kemi ditur që në fillim, kur Ahmetaj u vendos ministër Financash. Ai u vendos për të vazhduar punët e këtyre.
Nuk kam pikë dyshimi nga ajo që njoh se edhe afera e portit të Durrësit është e ngjashme me inceneratorët. A ka apo jo prova nuk e di, por të gjithë janë bashkëpunëtorë që mbajnë njëri-tjetrin. Po të ishin parti normale do dilnin kundër fajtorëve për të mbrojtur të ardhmen politike të tyre, por këta i bëjnë të gjitha bashkë. Në krye mbetet sërish Rama”, u shpreh ai.