Një numër i lartë i punonjëseve në sektorin publik kanë filluar ditën e sotme grevën, në Kosovë.
Në këtë grevë janë përfshirë shërbyesit civilë të nivelit lokal dhe atij qendror si dhe i tërë sektori i arsimit.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se grevës i ka humbur kuptimi pas procedimit të Ligjit për Paga.
“Në grevë janë i tërë sektori i arsimit, shërbyesit civilë, që nënkupton nga niveli lokal dhe nga niveli qendror. Ka sindikata që edhe përkundër dëshirës dhe mbështetjes që na e bëjnë, nuk kanë të drejtë ligjore për të marrë pjesë në grevë, siç janë policia, zjarrfikësit e të tjerë”, tha Rrahman Jasharaj.
Ndërkohë, kryeministri Kurti është deklaruar dje lidhur me grevën e paralajmëruar nga sindikalistët, për të cilën tha se i ka humbur kuptimi pas procedimit për konsultime paraprake të Ligjit për Paga.
“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike, që tashmë Ligji për Paga është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë, është gabim”, tha Kurti.
Kurse, sindikalistët i bënë thirrje qeverisë që të shikojnë me seriozitet kërkesat e tyre, përndryshe greva do të vazhdojë deri në arritjen e një marrëveshjeje.
Dialog social për zgjidhje të problemeve
Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë thonë se dialogu social midis Qeverisë dhe sindikatave është i nevojshëm që të shmanget paralizimi i institucioneve.
Gersi Gashi, drejtor i hulumtimeve dhe zhvillimeve në Qendrën për Politika dhe Avokim në Prishtinë, thotë se paralajmërimi për grevë i shumë sindikatave të punëtorëve është shqetësues, pasi që mund të paralizohet një pjesë e madhe e shërbimeve.
Ai thotë se ekzekutivi dhe sindikatat duhet të bisedojnë për të gjetur zgjidhje për këtë situatë.
“Është shqetësuese që nuk ka dialog social. Nuk kemi parë një dialog social që është duke u zhvilluar. Kemi parë sindikata që kanë paraqitur kërkesat në mënyrë të njëanshme dhe kemi parë një qeveri, e cila, në ndonjë rast, është përgjigjur se nuk mund të përmbushen këto kërkesa, ose nuk ka pasur përgjigje”, thotë Gashi.