Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratave të eurodeputetit Nicolas Bay ndaj qeverisë së Kosovës, të cilën e quajti zgjatim të mafias shqiptare dhe të shtetit të islamizuar shqiptar.
Me të një postimi në Facebook, Balla tha se deklaratat e tij ishin fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe besimeve tona fetare. Ai shtoi se deputeti i PE ka cënuar rëndë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve.
Postimi i plotë:
DËNOJMË DEKLARATAT E NJË ANËTARI TË PARLAMENTIT EUROPIAN KUNDËR SHQIPTARËVE!
Prej disa ditësh, gjatë një vizite në Kosovë, një anëtar i i Parlamentit Europian, Nicolas Bay, përfaqësues i ekstremit të djathtë, ka bërë deklarata tepër të rënda fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe besimeve tona fetare, duke cënuar rëndë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, si komb autokton në Kosovë.
Është një akt i rëndë, që nuk mund të kalohet kurrësesi në heshtje, adresimi nga një anëtar i PE ndaj Qeverisë së Kosovës si një “zgjatim i mafias shqiptare dhe i shtetit të islamizuar shqiptar”, shoqëruar me akuza haluçinante për spastrim fetar të minoritetit serb në Kosovë, të cilët janë të mirë-përfaqësuar në Parlamentin, Qeverinë dhe pushtetin vendor të Kosovës.
Do t’i kërkojmë zyrtarisht Parlamentit Europian, që në respekt të rregulloreve të veta kundër rracizmit dhe anti-diskriminimit të dënojnë urgjentësisht këto deklarata të papërgjeshme dhe marrjen e masave disiplinore e ligjore ndaj këtij anëtari të Parlamentit Europian, si nxitës i urrejtjes dhe diskriminimit etnik e fetar.
Kujtoj se Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Europian kanë nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët kundër rracizmit dhe ksenofobisë, për “nevojën e parandalimit të të gjitha formave të diskriminimit”. Deklaratat e këtij anëtari të Parlamentit Europian janë rasti që Bashkimi Europian të tregojë se rregullat zbatohen dhe respektohen njëlloj nga të gjithë.
Vërejmë me shqetësim se rublat vazhdojnë të frymëzojnë dhe sponsorizojnë qëndrime të tilla ndaj shqiptarëve, njëlloj sikurse ka ndodhur edhe me Rezolutën 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (“APKiE”) për “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, e cila bazohej në një raport tërësisht të pavërtetë të deputetit Dick Marty.