Si me rastin “Lleshaj”, Presidenca e Kryeministria duket se do të duhet të kalojnë një tjetër ngërç, i cili në këtë rast do të mbajë emrin e Ditmir Bushatit. Presidenti Meta, duket se nuk ka krijuar bindjen e plotë për lirimin nga detyra të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati.
Kreu i Shtetit ka dekretuar emrat e katër ministrave Elisa Spiropali, Erion Braçe, Eduard Shalsi dhe Bledi Çuçi, për të cilët nuk ka nevojë për proces verifikimi për shkak se janë deputetë.
Ndërsa propozimi për Genti Cakaj si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme që është zgjedhur nga kryeministri Rama në vend të Bushatit, është në proces verifikimi, bënë me dije burime nga Presidenca. Pra Presidenti nuk është shprehur ende për ministrin që vjen nga Kosova ashtu si edhe emrat e tjerë që nuk janë deputetë.
Në fakt Cakaj ka qenë një ndër emrat e diskutuar më së shumti ditët e fundit pas publikimit të emrave nga Rama dhe është përfolur për shkak të moshës së re dhe marrjes së shtetësisë shqiptare vetëm vitet e fundit.
Ndoshta dhe koha e shkurtër, vetëm 24 orë nuk i ka dhënë mundësi Presidentit për verifikimet e nevojshme në këtë rast.