Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj e quan një vendim të pazakontë përjashtimin nga kuvendi për disa ditë të 19 kolegëve të tij të opozitës.
Ai thotë se kjo tregon se qeverinë ‘e kanë lënë nervat’, pasi ky është një vendim i marrë në nxitim, dhe i pahijshëm.
“E pazakontë të përjashtosh 19 deputetë njëherësh, që nuk kanë bërë asgjë të jashtëligjshme…situatë tragjikomike që tregon se në një farë mënyrë qeverinë dhe kryeministrin po i lëshojnë pak nervat. Të shkosh drejt një ndëshkimi të tillë, është e pahijshme”, tha ai.
Gjekmarkaj thotë se nuk mund të thotë që nuk është dakord me bllokimin e foltores dhe punës në Kuvend, por shton se mendon që opozita duhet të gjejë instrumentë komunikimi në Kuvend.
“Të gjenden mënyra që fjala të rikthehet si instrument komunikimi. Kauza është e drejtë, protesta e kolegëve është e drejtë dhe unë vazhdoj ta mbështes. Nuk jemi për të qenë garniturë qeverisë, për t’i shkelur syrin asaj, për t’i hedhur ujë sa herë ndizen ‘flaka’ e protestave. Pa u shndërruar në opozitë ‘fake’ ne mund të gjejmë mundësi që të ndërrojmë këto tema në diskurs dhe debat”, tha ai.