I dashur Gramoz*,
Pak ditë kanë kaluar nga ndarja jote për së gjalli dhe mungesa më rëndon ashtu si azma që më zë frymën herë pas here. Këto ditë të nxehta e ndjej edhe më shumë. Koha po afron dhe siç e di, më duhet të caktoj ministrat e kabinetit tim të ri.
Në partinë tonë s’ka mbetur (ose më saktë nuk kemi lënë) askënd me të cilin të ulem e të këmbej ndonjë mendim se ç’mut qeverie do të sajojmë për në shtator. Këta që janë nuk nxjerrin dot qimen nga qulli, ata që ishin të rruajnë qime e lëkurë bashkë, të rinjtë na dolën pa qime fare… ç’të të them Gramoz vëllai.
Kur ishe ti, të paktën dije t’i mbaje nën kontroll e t’i sajdisje edhe këto grupet brenda që janë gati të shqyejnë njëri-tjetrin po të mos jem unë. Uriah- Fiku, Tao, Tigri, Damo- Tërmeti, Bela, të gjithë kanë nisur intrigat për të kapur sa më shumë
vende në qeveri. Të gjithë për bythën e tyre Gramoz vëllai, megjithëse siç e di dhe ti, ky qukapiku i bashkisë është më i organizuar dhe ka grup më të fortë. Këta të tjerët duan edhe pushtet edhe të bëjnë qejf.
Nejse, qëllimi i kësaj letre nuk është të të shkruaj për gjëra që i di, por të të tregoj se si kam menduar t’i zgjedh ministrat këtë mandat. U lodha vëlla, tetë vjet e kusur, duke vënë e duke hequr, merr nga Kosova e merr nga rruga. Njëherë bëji qejfin oligarkëve, e njëherë gruas. Njëherë gjeji të zotë të bëjnë parà e mos të kapen, e njëherë të zotë të mbledhin vota. Tani, kam më nerva unë që të merrem me këtë punë edhe kushedi sa vjet të tjera që më kanë dënuar të rri në pushtet?
Prandaj Gramo vëllai, më në fund e gjeta zgjidhjen. Kur të jem në Dhërmi me pushime me Zahon, do t’i vë djalit në tavolinë të gjithë fotot e këtyre që kemi në qeveri e parti. Kujt t’i vërë gishtin Zaho, do të zgjidhet ministër. Nuk kam nerva të merrem vetë, më kupton? Aman mo burrë, gjithë bota bën pushime në gusht ndërsa unë duhet të merrem me ca k… Kështu që le t’i vërë gishtin Zaho kujt të dojë. Ai në radhë të parë është i paanshëm, se fëmijë hesapi, dhe së dyti fillon që tani të fitojë përvojë kur t’i vijë dita të jetë në vendin tim. E pe si rrinte në tribunë në Vlorë në mitingun e fundit elektoral? Dhe pas mintingut këta të partisë i rrinin para-mbrapa t’i bënin qejfin për çdo gjë. Tani t’i vë figurat përpara dhe ta zgjidh këtë punë.
E di që do të duket gjeniale gjetja ime, si gjithnjë, por nga ty dua të varsësh mendjen si të zgjidh disa pengesa teknike.
Përshembull, e di mirë që atij i pëlqen hunda e Pandi Majkos, si i ngjan me personazhet e filmave vizatimorë dhe mund t’i vërë gishtin ndërkohë që ne e kemi çuar për skrap. Ose mund të më lërë jashtë Belën sepse nuk e di pse i është fiksuar që ajo duhet t’i zërë vendin lali fikut, që kur e ka parë që bën xhiro me borëpastruese. Edhe Taos mund t’ia vërë gishtin, ngaqë e bën për të qeshur forma e kokës. Për të mos folur për Damianin që është i bindur që është boksier me famë. Ogertën gjithashtu s’ma ka qejf fare se mendon se u bën gjilpëra fëmijëve të vegjël, aq shumë e ka parë në televizor me shiringat e vaksinave.
Kështu që dilema ime, për të cilën pres një përgjigje prej teje Gramo vëllai, është ose të ndërroj ca foto ose ta lë Zahon të lirë çfarë t’i kapi dora. Më shumë jam për këtë të dytën, se në fund të fundit do jetë zgjedhje e tij dhe shqiptarët do kenë një qeveri të përzgjedhur me objektivitet të pastër fëminor dhe larg intrigave tona. Do jenë të qetë ata, do jem i qetë dhe unë. Vota e tyre do të ketë përfaqësim maksimal dhe larg ndikimeve të kulisave, oligarkëve dhe ambasadorëve. Në fund të fundit,
siç ke dëshiruar gjithnjë edhe ti, do të bëhet vullneti i popullit.
Pres të më shkruash dy radhë, në mos për ndonjë ide tjetër, të paktën për t’u çmallur. Të kem një “dekument” siç thua ti, të shkruar për mua personalisht me dorën tënde.
Të përqafoj, se për të puthur është pak vapë, nga Surreli, i vetmuar.
*Gjithë sa përshkruhet në këtë letër imagjinare të ©Lapsi.al është shumë pranë realitetit