Kryeministri Edi Rama ka diskutuar sot me një grup gjimnazistësh dhe studentë në qytetin e Elbasanit. Ndër të tjera, Rama nuk ka kursyer as këshillat për ta, duke treguar edhe histori personale të tijat.
Ai tha se çështja e qëndrimit apo largimit nga Shqipëria, është një dilemë e vështirë që ofron liria dhe i takon gjithsecilit të vendosë për veten e tij. Rama u shpreh se disa herë ka patur mundësinë të vizitojë disa familje në varfëri ekstreme, dhe aty ka takuar fëmijë ekselentë.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Pyet 100 vetë dhe bëj në fund siç di vetë, dy-tre këtu kërkuan që ne t’ju themi që cilat janë arsyet që duhet të qëndrojnë këtu dhe mos të ikin. Unë pavarësisht pozicionit nga ku flas sot, dhe nuk e shmang dot, nuk kam ndryshuar mendim dhe nuk ndryshoj me mënyrën se si e shoh këtë punë. Çdokush është i lirë dhe të marrë vendimin për veten e vetë se çfarë do të bëjë. Për fat të mirë nuk jetojmë më si para 30 vjetësh ku nuk e kishin këtë dilemë. Nuk mund ta imagjinoje që të thoje unë shkollën e lartë do ta bëj jashtë shtetit. Nuk e kemi pasur këtë dilemë dhe e kishim mendjen e fjetur që s’ka. Liria i ka këto dilema shumë më të mëdha. Dhe një zgjedhje e lirë është më shumë e vështirë se një zgjedhje që të vjen nga lart. Kur njeriu është përpara dilemave duhet të bëjë zgjedhjet e veta. Unë do ta nisja nga e kundërta, nuk do të thosha arsyet pse duhet të iki, por do ta filloja nga arsyet pse nuk duhet të iki. Nëse ato nuk janë të mjaftueshme do të bëja balancën. Por një gjë është e sigurtë, në Shqipëri, jashtë Shqipërisë, kjo botë është e atyre që guxojnë dhe janë të vendosur. Ata ia dalin kudo që të jenë. Pastaj sigurisht që bën zgjedhjet e veta në varësi se sa lart do të ngjitet.
Kam pasur mundësinë në më shumë se një rast të vizitoj shumë familje të varfëra. Në plot kuptimin e fjalës. Aty kam parë dhe kam takuar fëmijë me të gjitha 10-a. Nuk e harroj kurrë një shtëpi në zonën rurale të Shkodrës, ku tre vajza mësonin me çadër se kur binte shi, çatia pikonte dhe ishin me të gjitha 10-a dhe flisnin anglisht. Dhe të treja vinin nga një familje që jetonte me punën e babait që kishte një karrocë dhe bridhte fshatrat për të ndihmuar të tjerët që të lëviznin mallrat.