Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për mediat greke se së shpejti do të takohet me homologun e tij Tsipras për të zgjidhur çështjet e vjetra me Greqinë. Shefi i qeverisë shqiptare shprehet se dialogu është shumë intensiv dhe se janë shumë afër zgjidhjes.
“Ne presim të takohemi së shpejti. Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por ne presim që të takohemi së shpejti. Ne jemi në një proces dialogu shumë intensiv për shumë çështje që mbulojnë disa vite dhe të tjera që nuk janë paraqitur kurrë me vullnet të plotë, guxim dhe vendosmëri për t’u zgjidhur. Unë mendoj se ne jemi shumë afër zgjidhjes së gjithë kësaj dhe kjo do të ishte e mrekullueshme” deklaroi Rama.
Referuar vrasjes së minoritarit Kaficas që u shoqërua me deklarata të forta nga dy vendet dhe shpalljen ‘non grata’ të 53 grekëve, Rama u shpreh se mes fqinjëve ka edhe incidente, por marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mirë dhe se nuk ka urrejtje. “Marrëdhënia me Greqinë është historike dhe tradicionale, por si gjithmonë me fqinjët ndodhin edhe incidente, por duhet ti përballojmë. Ju mund ta kuptoni plotësisht këtë, nëse shikoni një ndeshje futbolli midis fqinjëve, është si luftë.
Ne jemi shumë të gatshëm të përmirësojmë këtë marrëdhënie. Unë mendoj se ndonjëherë ka gjëra që janë fatkeqe, ato ndodhin dhe ne duhet të merremi me ta, por tani marrëdhëniet janë të mira dhe nuk ka armiqësi mes popujve. Grekët e duan Shqipërinë dhe shqiptarët e duan Greqinë, pjesa tjetër është thjesht politikë” përfundoi Rama.