Rama: Protestat, sulm i një grupi pushtetarësh, dëbuar para 5 vitesh

0
37
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

“Protestat e këtyre ditëve nuk janë reagim i njerëzve, por sulme të lidhura me një grup pushtetarësh  të dëbuar prej më shumë se pesë vjet më parë.” -kështu shprehet kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën “La Repubblica”, i pyetur mbi protestën e opozitës së bashkuar.

“Edi Rama nuk duket i shqetësuar që në Tiranë opozita po bën thirrje për dorëheqjen e tij dhe zgjedhje  të parakohshme. Ndërsa qendra e djathtë është në shesh, kryeministri shqiptar ndodhet në Romë për një vizitë të shpejtë pa takime zyrtare.”- kështu e nis artikullin gazeta italiane, ndërsa pyet kryeministri Rama në lidhje me krizën politike në Shqipëri.

Pjesë nga intervista:

Z.kryeministër, opozita ka akuzuar qeverinë tuaj për korrupsion dhe paaftësi. Por cili është qëllimi i protestuesve?

Shqipëria është në procesin e modernizimit, ka ende probleme me korrupsionin. Për ta luftuar atë, nevojiten institucione solide, një sistem gjyqësor i besueshëm dhe shërbime të qëndrueshme. Qeveria ka nisur një ofensivë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo që dëshiron opozita është e vështirë të shpjegohet. Opozita nuk ka shanse të fitojë në zgjedhjet lokale në qershor: lidershipi do të donte të shmangte përgjegjësinë për humbjen.

Shkurtimisht, a ekziston një krizë institucionale në horizont?

Ne fituam zgjedhjet me një shumicë absolute, pasi u treguam të hapur ndaj opozitës duke i dhënë asaj përgjegjësinë e disa ministrive për periudhën e zgjedhjeve, përfshirë edhe drejtimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pavarësisht maxhorancës që kishim. Marrëveshja ishte që në fund fituesit do të qeverisnin dhe humbësit do të shkonin në opozitë pa e bërë Shqipërinë subjekt të propagandës së brendshme politike në median ndërkombëtare. Në vend të kësaj, protestat filluan menjëherë, por qeveria është e fortë, sondazhet e kanë konfirmuar këtë .

A besoni se ka edhe një referencë për reformën në drejtësi në irritimin  e Partisë Demokratike?

Procesi i reformimit të sistemit tonë gjyqësor është konsideruar si një model për të gjithë rajonin. Ne kemi trashëguar një sistem të dobët, tani jemi duke verifikuar integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe pothuajse 60 prej tyre janë larguar nga detyra .

Por, pse ky irritim duhet të luajë një rol në protesta?

Protestat e këtyre ditëve nuk janë reagim i njerëzve, por sulme të lidhura me një grup pushtetarësh  të dëbuar prej më shumë se pesë vjet më parë.

Si i gjykoni zërat që flasin për një rol të vendeve të tjera në protesta?

Ne nuk kemi fakte konkrete, por shumë të dhëna: Televizioni rus ka transmetuar drejtpërsëdrejti protestat, por nuk ka asgjë për t’u befasuar. Moska ndjek interesat e saj dhe Shqipëria brenda Bashkimit Europian nuk ndodhet në mesin e tyre.

 

Zjarr Tv Ad