Nga Agim Xhafka
Po jetojmë në vitet e absurdit. Kur një njeri na është bërë edhe shiu, edhe hëna, edhe dielli, edhe vapa.
Hedhim sytë çdo mëngjes te fb i Ramës. Atje mësojmë; do hapet një baypass në datën x, do shtohen taksa për y profesion, do rriten çmimet e energjisë mbi 700-800 kw, do e blejmë karburantin sa e cakton ky, gjykata do kenë ato qytete që do kryeministri, plazhet ua jep burrave të ministreve dhe miqve e shokëve, Tiranën e bën pa makina kur ia do mideja, opozitën e ka vënë te cepi i ringut dhe bashkë me ambasadorët e grushton sa të dojë e si të dojë.
Aq ditë të zeza kanë mbërritur sa gjysma e popullit u largua nga murtajë qeverisja. Bizneset duan të punësojnë pensionistë, por dhe ata ikën te fëmijët, te nipërit e mbesat.Shqipëria po shpopullohet, kryeministri bën xhiro nëpër glob me taksinë “Air Albania”.
Kaq kompetenca ka sa askush në drejtësi, në parlament, në polici nuk nxjerr zë. As zë të mekur. E për karshillëk niset drejt burgut të Hagës. Takon Thaçin, i thur lavde e i ngre më lart trimërinë. Më pas kthehet në Tiranë e nga foltorja e parlamentit deklaron se nuk e njeh dhe nuk bashkëpunon me Sali Berishën.
Takon, qesh, mburr të burgosurin Thaçi, (mirë bën se ai deri sa të shprehet gjykata quhet i pafajshëm), ndërsa opozita mënjanohet se e drejton një non gratë që po kërkon prova e po pret fakte që askush nuk po ia sjell.
Atdheu po rënkon. Shqiptari para dhjetë vjetësh merrte të ardhura sa 30% e të ardhurave të evropianëve. Sot si atëhere, asnjë lek më shumë. Qeveri që xhiron në vend, që nuk ecën. S’ka si të ndodhë ndryshe. Kur maxhoranca nuk njeh opozitën, e përbuz, e largon, e denigron.
Ndodh pastaj si me dritat në shtëpi kur nga rrjeti na vjen veç një fazë. Llampa rri zbehtë se aq fuqi i transmetohet. Dhe njëri-tjetrin e shohim si hije, si filmat e hershëm bardh e zi dhe pa zë.