Gjuha që Kryeministri Edi Rama, përdori gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, shkaktoi jo pak polemika. Më të rënda ishin etiketimet që ai përdori për një sërë grash të opozitës si Grida Duma, Albana Vokshi, etj.
Madje, Rama e mbrojti fort atë që kishte thënë edhe kur u pyet në studio televizive. Por, me gjuhën e Ramës nuk është dakord as bashkëshortja e tij, që të paktën në publik thotë se fjalori politik nuk duhet të tejkalojë etikën.
“Për mua kalimi i kufirit etik nuk duhet të ndodhë kurrë, është përtej gjinisë, përtej politikës, profesionit dhe të gjithçkaje. Do ketë kritikën timë çdokush që do ta kalonte sado pak këtë kufi” – tha Linda Rama në një intervistë në Euronews Albania.
“Në momentin që unë kam filluar të jetoj me Edin, jam martuar me Edin në vitin 2010 dhe dihet që në atë periudhë për disa vite Edi ishte në fokus të shumë sulmeve dhe shumë akuzave të cilat në fakt, ndonjëherë merrnin dhe trajta të paimagjinueshme duke sakrifikuar, duke mos marrë parasysh as gra, as të vdekur dhe as fëmijë.
Kjo ishte klima dhe unë kisha vendosur, e dija që kisha vendosur të lidhja jetën me një njëri me vokacion shumë të qartë politik dhe ndërkohë një njeri i cili kishte pretendimin dhe ambicien për tu bërë kryeministri i Shqipërisë,” – tha Linda Rama duke e mbyllur: “ishte si një breshëri, të jetoje si në breshëri, që jo në pak raste pasohej nga një mërzi e madhe”. ©LAPSI.al