Rama zbulon emrin e kandidatit për bashkinë Fier

0
34
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri Edi Rama ka rikonfirmuar Armando Subashin si kandidat për një mandat të dytë në bashkinë e Fierit për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Duke folur për aktivitetin në kuadër të projektit “100 fshatrat”, kryeministri tha se vota në zgjedhjet e qershorit për kandidatët e PS-së do të jetë një mundësi e re për rilindjen rurale.

Ai tha se me kreun aktual të bashkisë së Fierit, projektet e nisura do t’i çojnë përpara në shërbim të qytetarëve fierakë.

“Patjetër që edhe ajo u tha nga kryetari i bashkisë si nevojë strategjike e zhvillimit të zonës, dalja në det, është në vëmendjen tonë dhe do të jetë një nga projektet që do të zhvillojmë së bashku gjatë mandatit të dytë të kryetarit të bashkisë. Investimet në ujësjellës, vaditje, kanalizime, arsim në këtë zonë.

Kemi identifikuar si potencial të rëndësishëm për zhvillimin e këtyre fshatrave, sheshet e këtyre fshatrave, jo vetëm për ata që jetojnë këtu, por edhe ata që do të vijnë këtu për të pirë një kafe apo gotë raki”, u shpreh Rama.

Shefi i qeverisë shtoi se investimet në agroturizëm, krijojnë mundësi të reja ekonomike dhe zhvillime në fushën sociale për banorët që jetojnë në zonat rurale. Ai theksoi se ky projekt synon jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës, por edhe shndërrimin e shtëpive të banorëve në bujtina të mirëfillta.

“Modeli i 100 fshatrave është një model zhvillimi ekonomik dhe social dhe ndërhyrjet që do të bëjmë synojnë jo thjesht transformimin e infrastrukturës, por nxitjen e iniciativës për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit. Është koha për të shkuar përtej kësaj. Është koha për të menduar për agroturizmin.

Është një sektor, ku natyra i ka të gjithë komponentët për të ndërtuar një sistem agroturizmi dhe për të transformuar shtëpitë në bujtina, me qëllim që të kthehen si burim të ardhurash. Ata që vijnë në këtë zonë, që janë potencialisht turistë nuk kërkojnë luks, por kërkojnë karakteristikat  e veçanta që kanë këto zona dhe zonat e tjerat ku shtrihen 100 fshatrat”, tha Rama.

Zjarr Tv Ad