Stafi i ngushtë i kryeministrit Rama dhe mediat satelite të tij, pas një fushate entuziaste për “dështimin total” të vizitës së fundit të kreut të opozitës Lulëzim Basha në Washington, janë kapur në befasi mëngjesin e sotëm nga lajmet që po vijnë nga nuk i prisnin.
Edhe pse Basha u kthye në Çadër nga Uashingtoni më i qetë dhe më i vendosur se sa ishte përpara nisjes, mungesa e informacionit për takimet e tij aty, bëri që kampi i Ramës të hedhë fishekzjarrë mediatik, duke e cilësuar këtë strategji të Bashës për të mbajtur “sekret” takimet, si një dështim të vizitës së tij dhe madje edhe një shenjë mos aprovimi të kauzës së opozitës, nga Uashingtoni zyrtar.
E gjithë kjo fushatë me qëllim dekurajimin e opozitës dhe të gjithë atyre që janë rreshtuar në krah të kauzës së saj, për zgjedhje të garantuara nga rreziku Rama u shfry sot nga lajmet, që vijnë nga përtej Atlantikut dhe pikërisht prej burimeve më të afërta të mundshme, të presidentit Trump. Shprehja tashmë folklorike e Edi Ramës, “nuk keni parë gjë akoma”, këtë herë ju kthye si resto për gëzimin e “dështimit” të Bashës, pikërisht nga media e këshilltarit kryesor të presidentit Trump.
Në shkrimin e ‘Breitbart News’ kushtuar vizitës së kreut të opozitës, jepen detaje të cilat zbulojnë se alarmi i Çadrës për atë që po ndodh në Shqipëri, tashmë është zyrtarizuar në rrethin më të ngushtë të Shtëpisë së Bardhë. Aty tani e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm, që Shqipërinë e drejton udhëheqësi më anti-Trump në Europë dhe se planet e kësaj kaste sorosiane në pushtet për të kapur vendin edhe për një kohë tjetër të gjatë të pacaktuar, janë drejt realizimit.
Edi Rama pas kthimit të Bashës në Tiranë, priti disa ditë që ky i fundit të dilte dhe të mburrej siç do të vepronte vetë dhe bëjnë rëndom politikanët shqiptarë, pasi kthehen nga Washingtoni. Por kreu i opozitës nuk e bëri; vetëm la për të nënkuptuar se jo vetëm vizita e tij nuk ishte e dështuar, por edhe se pas saj ai ishte edhe më i vendosur për të ç`montuar tentakulat e sektit të Rilindjes, krijesë kjo e Sorosit, tashmë e dekonspiruar botërisht.
Kjo heshtje e Bashës ashtu siç e thamë edhe në fillim të këtij shënimi, bëri që enturazhi mediatik i Ramës, ta bombardojë opinionin pulik shqiptarë me lajme të tipit; Dështon vizita e Bashës, shkon deri në SHBA për të dhënë një intervistë te Zëri Amerikës, etj, etj.
Sot kur mësuan nga media e këshilltarit më të afërt të presidentit se, ndërsa Basha ishte në Uashington zhvilloi takime me drejtuesit më kryesor të Kongresit, (me Pete Sessions, Kryetar i Komisionit të Buxhetit të Kongresit; Michael Mçaul, Kryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Kongresit dhe Ed Royce, Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit) dhe qershia mbi tortë i ftuar edhe në darkën e përbashkët vjetore të kongresmenëve dhe senatorëve republikanë, ku Presidenti Trump mbajti fjalën kryesor, titujt e “Ramamedias”, nga vajti deri në SHBA për një intervistë te `Zëri i Amerikës`, ju kthyen avazit; Shkoi deri në Washington, për një intervistë te ‘Breitbart News’.
Gjithsesi një gjë është e sigurt deri në këto momente; rrethi më i ngushtë i presidentit Trump, krerët kryesorë të Kongresit amerikanë tashmë e kanë të qartë panoramën e asaj që po ndodh në Shqipëri dhe rrezikut që i kanoset jo vetëm demokracisë në vend, por edhe interesave të tyre strategjike në rajon.
Ramës i ka ardhur mesazhi i parë nga përtej Atlantikut, fiks në atë formë që ai ka aq shumë dëshirë ta artikulojë ndaj kundërshtarëve të vetë politikë; Nuk keni parë asgjë akoma…