Në Maqedoni po zhvillohet referendumi për marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, i cili është vlerësuar si historik për të ardhmen euroatlantike të vendit. Rreth 1.8 milion qytetar me të drejtë vote janë ftuar t’i përgjigjen pyetjes se referendumit. Greqia, e cila ka gjithashtu një provincë veriore me emrin Maqedoni, pretendonte prej kohësh se ky emër për fqinjin e saj verior përfaqësonte pretendime territoriale ndaj vet asaj. Për këtë arsye është aplikuar vetoja në dy raste, qoftë për hyrjen e Maqedonisë në NATO, ashtu dhe për në BE, madje mosmarrëveshja arriti deri aty sa të detyroheshin Kombet e Bashkuara ta anëtarësonin Maqedoninë nën emrin e përkohshëm të “Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë”. Kryeministri aktual maqedonas, Zoran Zaev deklaroi gjatë fushatës se pranimi i emrit të ri është një çmim që ia vlen ta paguash për të hapur rrugën drejt anëtarësimeve në BE dhe NATO. Por, kundërshtarët nacionalistë të opozitës thonë se kjo do të minonte identitetin etnik të pjesës më të madhe të popullsisë sllave të vendit. Presidenti Gjorge Ivanov është shprehur gjithashtu në favor të bojkotit të referendumit. Megjithatë, kutitë e votimit janë hapur prej orës 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në 7 të pasdites, teksa në fletën e votimit ka vetëm një pyetje dhe dy opsione zgjedhjeje. “A jeni dakord për anëtarësimin në NATO dhe BE, përmes pranimit të marrëveshjes së emrit me Greqinë?”. Edhe pse referendumi është këshillues dhe jo ligjërisht detyrues, shumë deputetë kanë thënë se do t’i qëndrojnë rezultatit të tij për të marrë vendimin përfundimtar. Ndryshimi i emrit kërkon një shumicë prej dy të tretave të pjesëtarëve të Parlamentit maqedonas. Në mënyrë që referendumi të shpallet i vlefshëm, të paktën 50 për qind e votuesve duhet të dalin në votime dhe shumica e tyre të mbështesin ndryshimin e emrit. Sondazhet kanë treguar se shumica e atyre me të drejtë vote pritet ta mbështesin ndryshimin, por arritja e përqindjes së kërkuar të pjesëmarrjes do të jetë një sfidë e vështirë. Ndërkohë që më shumë se 80 për qind e maqedonasve mbështesin anëtarësimin në NATO dhe BE, shumë prej tyre mund ta bojkotojnë referendumin për shkak se nuk bien dakord me ndryshimin e emrit.
Zjarr Televizion Ad
This is a sample article.
...