Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, është shprehur se PD po punon për identifikimin e emigrantëve shqiptarë dhe për të lidhur kontakte me ta, për të votuar për zgjedhjet e 11 majit.
Komentet Shehu i bëri në A2 CNN, ku tha se ka një ndryshim të madh mes PS e PD në trajtimin e qytetarëve, pasi sipas tij, PS po i terrorizion njerëzit.
Ai tha gjithashtu se qeveria e kryeministrit Edi Rama, të cilën e quajti një regjim, jo vetëm mund t’i burgosë qytetarët, por edhe t’i vrasë. Shehu i bëri thirrje qytetarëve që në 11 maj ta rrëzojnë me votë qeverinë ‘Rama’.
“Ka qëndrime të ndryshme ndaj njerëzve mes PS dhe PD. Sot ne kemi identifikuar emigrantët, kemi lidhjet e tyre shumë njerëzore e etike. Në qarkun e Gjirokastrës, strukturat po punojnë për të identifikuar emigrantët, fillon komunikimi me ta. Është krijuar një strukturë në qendër, por çdo gjë do të bëhet në mënyrë shumë të hijshme, shumë njerëzore.
PS është në krizën e saj më të madhe të saj morale, politike. Qytetarët do të jenë të qartë në zgjedhjen e tyre këtë radhë për të votuar për PD dhe Berishën.
Regjimet jo vetëm mund të të burgosin, por edhe mund të të vrasin. Këto janë vendime për të terrorizuar qytetarët. Qytetarët me votën e tyre duhet të godasin edhe terrorizimin që u bëhet atyre nga regjimi. Nuk është ndonjë zotësi, por është krim. Këto janë krime, komplote kundër drejtësisë. Qytetarët kur të votojnë duhet t’i thonë ndal terrorizimit të tyre me këto metoda”, tha Shehu.