Qarku i Dibrës, është përfshirë nga reshje dëbore dhe temperatura të ulëta, gjatë orëve të natës.
Në zonat malore të këtij qarku, trashësia e dëborës, ka arritur deri më 15-20 cm. Reshjet e dëborës janë shoqëruar me ngrica, gjë e cila ka shkaktuar probleme në disa rrugë.
Aksi kombëtar Peshkopi – Qafë Bualli – Tiranë, është i kalueshëm pa probleme, pasi mjetet borëpastruese kanë kriposur gjithë segmentin. Aksi Peshkopi – Kukës, është i kalueshëm me zinxhirë në disa segmente ku ka pasur stuhi dhe era ka grumbulluar borë, si dhe në zonat që nuk i kap dielli.
Ndërkohë aksi Peshkopi – Qafë Draj kalohet, por në segmentin Ura e Dodës -Qagë Draj duhet të përdoren zinxhirë, Ura e Çerenecit – Steblevë kalimi bëhet pjesërisht me zinxhirë dhe në aksin Qafë Bualli – Krastë, kalimi bëhet pjesërisht me zinxhirë.
Gjithashtu, probleme me qarkullimin, ka edhe në rrugët që lidhin njësitë administrative me rrugët kryesore dhe rrugët e brendshme të fshatrave, kështu janë hasur probleme në njësitë administrative Lurë, Reç, Selishtë Kala e Dodës, Sllovë në rrethin e Dibrës.
Në Bulqizë, ka pasur probleme në rrugët e brendshme të qytetit , ndërkohë me vështirësi kalohet në njësitë Krastë, Tërnovë dhe në fshatrat e zonës së Gollobordës.
Në rrethin e Matit, ka pasur reshje bore por që nuk ka shkaktuar probleme, në fshatrat njësive Xibër, dhe Macukull, mund të shkohet vetëm me zinxhirë.