Rezonanca magnetike është investimi më i ri në shërbimin e Neurokirurgjisë. Ministrja Manastirliu tha se aparati ndihmon në zhvillimin e kërkimit shkencor, ndërsa mjekët u shprehën se përmes rezonancës rritet cilësia e ekzaminimit të sëmundjeve.
Rezonanca magnetike e instaluar në Shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT do të bëjë të mundur ekzaminimin e sëmundjeve të rralla dhe atyre rutinë.
Investimin e ri e inspektoi kryeministri, Edi Rama, shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ogerta Manastirliu tha se pajisja ndihmon edhe në zhvillimin e kërkimit shkencor.
Manastirliu: Përveç faktit që ne kishim 4 rezonanca, çfarë është e rëndësishme, të gjitha aparaturat e rënda nuk ishin të mirëmbajtura. Ne u futëm në 2013-n në një sistem të gjithë teknologjisë pa mirëmbajtje dhe pa asnjë element sigurie dhe kolaudimi.
Tashmë, ne kemi të gjitha aparaturat në mirëmbajtje, plus po investojmë edhe në aparatura të reja, që do të thotë ulim shpenzimet nga xhepi, pasi qytetarët ishin të detyruar të shkonin në spitale jopublike për të bërë ekzaminime, të cilat praktikisht janë rutinore, duhet të kryhen në spitalet tona.
Ndërkohë që lista e pritjes është e krahasueshme me vende, të cilat madje nuk i kanë këto nivele të listës së pritjes, pasi ne për rezonancën e kemi deri në 5 javë pritjen, kurse për një skaner deri në tre javë, që janë optimale për listat e pritjes.
Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Mentor Petrela, tha se ky aparat do të rrisë më tej cilësinë e ekzaminimeve.
Petrela: Sëmundjet neurologjike, siç janë epilepsitë, etj., me këtë teknologji ne do t’i dekriptojmë deri në fund. Kemi kapur nivelin në prag të researchit. Në spitalet universitare të Europës, kjo është e sotmja dhe e ardhmja. Kjo është realizuar me një kërkese që i kam bërë Kryeministrit para dy vitesh.
Një rezonancë e re i është shtuar edhe Spitalit Rajonal të Elbasanit.
Për mjekët me përvojë në fushën e Neurokirurgjisë, teknologjia e avancuar është një ndihmë e madhe për analizimin e nevojshëm të sëmundjeve neurologjike.