Avokat Spartak Ngjela në një analizë të tij ka renditur ngjarjet politike që kanë shoqëruar Shqipërinë gjatë vitit 2022. Ngjela sigurisht përmend si ngjarje kryesore protestën e opozitës më 6 dhjetor, por edhe kërkesën e kryeministrit Rama për zëvendësimin e ambasadores Yuri Kim.
Analiza e Spartak Ngjelës
Arsyetimi politik i historisë është një bashkim logjik i ngjarjeve të shkëputura, që, ndonëse janë të tilla, një arsyetim korrekt politik, i lidh dhe i analizon si të bashkuara në një pikë.
Pasi i bashkon këto, të lidhura mes faktesh dhe që krijojnë analizën konceptuale të një periudhe historike në një shtet, ti ke shkruar historinë e kësaj periudhe.
Dhe kjo analizë, në fakt, është vetë arsyetimi politik i historisë.
Po ngjarja politike, kur bëhet histori? Ngjarja politike bëhet histori, kur ajo ka krijuar një fakt historik.
I.
Në funksion të kësaj logjike, të arsyetuar më lart, edhe bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor, në të dy shtetet e saj, në Kosovë dhe në Shqipëri, gjatë muajit dhjetor të vitit në vijim, u gjend befas përpara një sulmi shpërbërës për të. Tani është e provuar se gjithçka ka qenë e strukturuar nga antishqiptarizmi: që nga Beogradi e deri në Moskë; në bashkëpunim edhe me korrupsionin e lartë politik në Tiranë.
Por, le të fillojmë me ngjarjet.
Ja cilat janë ngjarjet e dhjetorit 2022:
Berisha organizoi në datën 6 dhjetor një protestë politike të opozitës kundër Samitit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Dhe ky ishte një turp historik antishqiptar.
Moska dhe Beogradi e sulmuan ashpër Samitin në datën 6 dhe 7 dhjetor. Se e kuptuan që Shqipëria dhe Kosova po fillonin një proces shumë të fuqishëm historik gjithëshqiptar drejt Bashkimit Evropian. Dhe u kuptua se këta shpresën e patën te “revolta kryengritëse” që kish paralajmëruar Sali Berisha.
Serbia ngriti tensionin në veriun e Kosovës deri në një kërcënim pushtues në datën 6 dhe 7 dhjetor e në vijim. Se ka dashur të zbehë Samitin e Bashkimit Evropian në Tiranë, por me shpresë te Moska dhe voglat antishqiptare në Tiranë e në Prishtinë. Sidomos, me shpresë te kryengritja Berisha e asaj dite.
Por, në Tiranë gjithçka u zbeh e shuar, se Saliut në Bulevardin e Madh të Tiranës i erdhën vetëm rreth 400 persona, dhe, bashkë me ta, ai mori edhe një grusht fytyrës nga një qytetar i revoltuar.
Rama kërkoi në datën 10 dhjetor të hapte procedurat për zëvendësimin e Amasadores së Amerikës në Tiranë, zonjës Yuri Kim. Sepse, siç duket, kërkoi të hyjë edhe ky në rrjedhën moskovite të sabotimit të procesit të ri amerikano-evropian për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evripian.
Kurse Serbia, në 13 dhjetor kërkoi të dërgonte forcat ushtarake serbe në Veri të Kosovës; sepse donte të provokonte gatishmërinë e Uashingtonit në mbrojtje të Veriut të Kosovës.
Por menjëherë…
Në datën 13 dhjetor, zv/ ndihmës Sekretar i Shtetit, Gabriel Escobar, iu përgjigj Serbisë se: “Veriu i Kosovës ka mbrojtje të sigurt të Amerikës, dhe nuk pranohet asnjë forcë serbe të hyjë në Veriun e Kosovës”.
Po në datën 13 dhjetor, Ambsadorja Yuri Kim iu përgjigj Ramës: afati im nuk mbaron. Unë do të jem ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, edhe në vijim të viteve të ardhshme.
Në datën 13 dhjetor ambsadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, filloi ushtrimin e politikës amerikane në zgjedhjen e kryetarit të Prokurorisë së Posaçme, duke
preferuar Altin Dumanin si kryeprokuror.
Në datën 16 dhjetor Dumani u zgjidh kryetari i Prokurorisë së Posaçme; kur Berisha dhe Rama, Moska dhe Beogradi po prisnin të sigurt një nga prokurorët e tjerë që ishin në garë.
Ja pra…
Këto ishin ngjarjet politike që u formuan për të krijuar një sistem faktik antishqiptar gjatë muajit dhjetor, i cili është ende në vijim, por tani pa fare forcë dhe thuajse i dorëzuar. Por, edhe i trembur brenda Shqipërisë, sepse, pas asaj që ndodhi nga 6 dhjetori e deri në 13 dhjetor, me likuidimin e kësaj historie ruse në Tiranë, gjithçka tani po ecën drejt një rigjallërimi goditës kundër korrupsionit të lartë shtetëror dhe politik. Tani pritet të nisë riorganizimi i SPAK-ut, menjëherë pas zgjedhjes së kreut të ri të tij, Altin Dumani
II.
Na duhet të theksojmë ndërkaq se,
arsyetimi politik i historisë është një bashkim logjik i ngjarjeve të shkëputura, që, ndonëse janë të tilla, një arsyetim korrekt politik, i lidh dhe i analizon ato si të bashkuara në një pikë.
Dhe kjo analizë e këtij lloji, është në fakt vetë arsyetimi politik i historisë.
Por, çështjet e renditura më lart, a kanë lidhje logjike për të formuar një arsyetim të saktë politik?
Para se të analizojmë lidhjen logjike të tyre e për të dhënë një konkluzion, na duhet të përcaktojmë qendrën rreth së cilës vërtiten të gjithë pikat e ngjarjeve politike që përmendëm. Sepse, që të jenë të lidhura me njëra-tjetrën, ato çështje duhet të kenë një pikë të përbashkët si fakt qëndror, që i lidh me njëra-tjetrën si ide ose si qëllim.
A ka një qendër të tillë lidhëse për ngjarjet e këtij dhjetori? Sepse po të mos ekzistojë kjo qendër, të gjitha ngjarjet politike të rreshtuara më sipër, janë të veçanta dhe të palidhura për të krijuar së bashku një argument historik.
E pra, a ka një qendër të përbashkët për to, e cila i mban të lidhura me historinë e kohës?
III.
Po, ka një qendër, e cila qëndron si mbështetje gravitacionale për të gjitha pikat e mësipërme.
Kjo qendër eshte pavarësia e Kosovës.
Por, pikërisht në thelbin e kësaj pike qendrore, ne gjejmë edhe dëshirat e kundërshtarëve të shqiptarizmit, të cilët kuptohet se i ka shqetësuar deri në marrëzi pavarësia e Kosovës dhe mundësia e hapur për bashkim kombëtar; në krijimin e një Shqipërie etnike.
Domethënë, pavarësia e Kosovës është pika qendrore që kundërshton i gjithë antishqiptarizmi i kësaj kohe.
Dhe, ja se si u ngrit kjo perde antishqiptare që nxori në skenë të gjitha pikat e mësipërme, të cilat, me një mendjelehtësi politike, u përdorën kundër pavarësisë së Kosovës.
IV.
Le t’i rendisim pikat me radhë sipas datave:
Gjashtë dhjetori e ngriti perden e ngjarjeve që po analizojmë me protestën e Sali Berishës kundër Samitit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Një inat antikombëtar ky që, në fakt, nuk doli jashtë rrjedhës antikombëtare të Sali Berishës si veprimtari e tij e nisur që nga viti 1991-1992.
Kurse, menjëherë pas Saliut, në datat 6 dhe 7 dhjetor ndërhyri edhe qëndrimi i Moskës me mllef të madh kundër Samitit të Tiranës. Kurse Serbia, po në datën 7 dhjetor, tentoi të hynte në Veriun e Kosovës; por nuk bëri dot asgjë, dhe askush nuk e përfilli. Kurse qeveria e Kosovës e goditi ashpër kur iu drejtua Serbisë: “hajdeni, se do t’u presim me luftë shfarosëse”.
Por, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në 10 dhjetor kërkoi që, në një mënyrë të njëanshme, të fillonte procedurën për ardhjen e ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, në zëvendësimin e ambasadores aktuale Yuri Kim.
Prandaj, na duhet të pyesim:
A ka lidhje kjo kërkesë e kryeministrit të Shqipërisë me protestën e Saliut në 6 dhjetor, kundër Samitit të Bashkimit Evropian në Tiranë?
Sigurisht që kjo kërkesë e kryeministrit Rama është shumë e lidhur me protestën e Saliut, sepse befas, edhe Rama, me hapjen e procedurave për ardhjen e ambasadorit të ri amerikan në Tiranë, tregoi që edhe ai, njëlloj si Saliu, nuk e pranon vijimin e qëndrimit të ambasadores Yuri Kim në Tiranë, domethënë janë kundër politikës amerikane në mbrojtje të Shqipërisë, dhe, sidomos, janë kundër strukturës së reformës antikorrupsion që do të nisë në Tiranë.
Por, menjëherë pas Ramës, që donte të fillonte procedurat kundër ambasadores amerikane në Tiranë, në datën 13 dhjetor, Serbia kërkoi të dërgonte forcat ushtarake serbe në Veri të Kosovës.
Sigurisht që edhe kjo, duke pasur të njëjtën përmbajtje, kuptohet se në qëllim është e lidhur me protestën e 6 dhjetorit të Saliut.
Por çfarë ndodhi?
Në çastet kur gjithë blloku antishqiptar po mendonte se po e merrte kalanë që po kërkonte, doli në skenë me forcë në Uashington zv/ ndihmës Sekretar i Shtetit, Gabriel Escobar, që u shkatërroi të gjithëve çdo shpresë, sepse:
Po në datën 13 dhjetor, G. Eskobar në Uashington, deklaroi se: “Veriu i Kosovës është i paprekshëm dhe mbrohet nga forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Një ndërhyrje elokuente dhe me theksim force kjo që i detyroi të gjithë, që nga Moska, në Beograd e deri në Tiranë, të përulur, të ktheheshin në normalitetin politik të Evropës, që është ky: dy shtete të pavarura shqiptare në Ballkanin Perëndimor: Shqipëria dhe Kosova.
Dhe këtu, dhe kështu, u mbyll edhe ky oreks antishqiptar i Moskës, Beogradit dhe të gjithë veglave qorre antishqiptare që janë aktive në politikën e lartë në Tiranë.