Rindërtimi/ Veliaj dhe Krifca në Baldushk: Me lagjet e reja ne mbyllim me sukses rindërtimin në zonat rurale, treguam se jemi europianë duke qenë solidarë me familjet në nevojë

0
112
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Muaji shtator do t’i gjejë 28 familjet e prekura nga tërmeti në Baldushk në shtëpitë e tyre të reja, të rindërtuara në një lagje të urbanizuar dhe me të gjitha shërbimet e nevojshme për komunitetin. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, inspektuan disa nga banesat individuale në lagjen e re dhe u shprehën se edhe në Baldushk, ashtu si në Pezë dhe Zall Herr, është bërë një punë e shkëlqyer për familjet e prekura. Veliaj tha se me përfundimin e këtyre tre lagjeve të reja, përmbyllet procesi i rindërtimit në zonat rurale të Tiranës.

“Afrimi në aksin kryesor të rrugës, mbledhja në komunitet, bashkëjetesa, të qenurit pranë shkollës dhe qendrës shëndetësore, hap një kapitull të ri për fëmijët që do të jetojnë në këto shtëpi. Secila prej familjeve që do të zhvendoset në këto banesa, do ta mbajë tokën dhe bagëtinë atje ku e ka. Jemi gati të hapim edhe lagjet e reja në Zall Herr dhe në Pezë. Me mbylljen e këtyre tre lagjeve, ne përfundojmë njëherë e mirë rindërtimin në zonën rurale”, sqaroi ai.

Ndërkaq, Veliaj tha se solidariteti dhe mbështetja që qeveria ka treguar për njerëzit në nevojë, jo vetëm gjatë tërmetit dhe pandemisë, por edhe për çmimin e energjisë, tregon një sjellje evropiane.

“Teksa kryeministri na solli lajmin e mirë të hapjes së negociatave, besoj se e kemi treguar një sjellje europiane ende pa qenë anëtarë të BE-së; atë të solidaritetit, të mënyrës se si shteti i gjendet atij që ka nevojë. Këto i kemi treguar edhe pa plotësuar letrat e anëtarësimit. Nëse vazhdojmë të sillemi si europianë, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme,” u shpreh ai.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur, i cili vjen pas një pune kolosale. Krifca deklaroi se familjet që do të vendosen në këtë lagje të re, do të jenë shumë pranë tregut të ri agro-ushqimor, ku mund të tregtojnë produktet e tyre bujqësore nga tokat e tyre.

“Më vjen shumë mirë që jemi këtu për të materializuar një premtim të mbajtur nga Kryeministri dhe të jetësuara nga Bashkia e Tiranës, ku 28 familje do të plotësojnë këtë komunitet të ri, pas një pune kolosale e cila flet vet. Këto familje do të jenë afër tregut të ri agro-ushqimor, i cili po ndërtohet në Farkë, ku do të kenë mundësi t’i shesin aty prodhimet e tyre”, nënvizoi Krifca.

Zjarr Tv Ad