Rriten aplikimet e shqiptarëve për azil në vendet e BE, Franca mban vendin e parë për numrin më të lartë të kërkesave

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Pas një ngadalësimi në verë, kërkesat e shtetasve shqiptarë për azil kanë shënuar sërish rritje në muajt e fundit të vitit 2023.

Sipas të dhënave të Eurostat, në tetor dhe nëntor u shënuan mbi 870 aplikime në një nga vendet e Bashkimit Europian, nga më pak se 700 që ishte numri i tyre gjatë muajve të verës, duke arritur nivelin më të lartë që nga marsi 2013.

Gjithsesi, në krahasim me vitin e mëparshëm, numri i aplikimeve gjithsesi është në rënia, por tendenca rritëse e muajve të fundit mund të sinjalizojë një rigjallërim të ciklit të emigracionit, e cili pasi kulmoi në 2022 u ngadalësua në pjesën më të madhe të 2023-t.

Sipas Eurostat, për periudhën janar-nëntor 2023 kishte gjithsej 8,575 aplikime për azil për 11 mujorin nga shtetas shqiptarë në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, aplikimet kanë rënë me 29%.

Por, ndryshe nga vitet e kaluar, kur numri më i madh i aplikimeve ishte në verë dhe më pas vinte në ulje, në 2023 tendenca ka qenë e kundërt. Aplikimet kanë shënuar rritje në shtator, tetor e nëntor (shiko grafikun: Aplikimet për azil të shtetasve shqiptarë në BE, sipas muajve).

Franca vijon të jetë vendi më i preferuar për azilantët shqiptarë, duke shënuar rritje të ndjeshme në krahasim me muajt e verës. E njëjta tendencë u shënua dhe për Gjermaninë, ku pas një rënieje në verë, u konstatua rritje në tetor e nëntor.

Sipas të dhënave të Eurostat, për gjithë 11 mujorin, Franca priti 43% të aplikimeve, e ndjekur nga Gjermania, me 27% dhe 18.5% në Itali.

Europë

Sipas Eurostat, në muajin tetor 2023 114,830 shtetas jo të BE-së aplikuan për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e BE-së, një rritje prej 17% krahasuar me tetorin 2022 (97,980).

Kishte gjithashtu 6,225 aplikime përsëritëse, që përfaqëson një rënie prej 2% krahasuar me tetorin 2022 (6,380).

Shtetasit sirianë mbeten grupi më i madh i azilkërkuesve

Duke ndjekur të njëjtin trend të muajve të kaluar, edhe në tetor sirianët vazhduan të ishin grupi më i madh i njerëzve që kërkonin azil (24 330 aplikime për herë të parë). Pas tyre vinin turqit (15 630), afganët (9 900), venezuelianët (5 070) dhe kolumbianët (4 835).

Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja morën 66% të të gjithë aplikimeve për azil për herë të parë

Ashtu si në muajt e mëparshëm, në tetor 2023, Gjermania (34 000), Italia (14 950), Franca (14 900) dhe Spanja (12 505) vazhduan të marrin numrin më të madh të aplikimeve për azil për herë të parë, duke përbërë 66% të të gjithë aplikimet për herë të parë në BE.

Në tetor 2023, totali i të gjithë aplikimeve për herë të parë për azil në të gjithë BE-në ishte 256 për milion njerëz.

Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2023), shkalla më e lartë e aplikimeve të regjistruar për herë të parë në tetor 2023 u regjistrua në Qipro (1 188 për milion njerëz), Austri (1 050) dhe Greqi (959). Ndërsa shkalla më e ulët u regjistrua në Hungari (0.3).

5 040 të mitur të pashoqëruar që aplikojnë për azil në vendet e BE-së

Në tetor 2023, 5 040 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil për herë të parë në BE, kryesisht nga Siria (1 975) dhe Afganistani (1 150).

Vendet e BE-së që morën numrin më të madh të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar ishin Gjermania (1 635), Holanda (950), Austria (720), Bullgaria (485) dhe Greqia (425)./MONITOR

Zjarr Tv Ad