Rumania paralizohet për 15 minuta

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

1 metër autostradë simbolike “inagurohet” të premten (15.03) në Rumani, ku është planifikuar edhe një grevë 15 minutëshe në të gjithë vendin. Organizatori do të tërheqë vëmendjen për infrastrukturën e keqe në vend. Para disa ditësh në një kafene bëra shaka dhe pyeta ata që kisha përreth: çfarë përfytyroni me 1 Metër autostradë. 1 metër e gjerë?, pyeti një i moshuar. Jo, 1 metër e gjatë, ia ktheva unë. Një gjë e tillë është e pamundur, erdhi shpejt përgjigja. 1 metër birrë, e kam parë në një pub, por 1 metër autostradë? Ku? Në hënë? reagoi një tjetër.

Kur tregova pamjet nga Rumania, ku privatisht është ndërtuar 1 Metër autostradë si simbol, pati vetëm miratim për një aksion të tillë. Këtë të premte në Rumani do të “inagurohet” ky 1 Metër autostradë në afërsi të qytetit Suceava në verilindje të vendit. “Ndërtuesi” është Stefan Mandachi, një sipërmarrës 33 vjeçar që e ka financuar nga xhepi këtë copë autostradë me katër korsi. Kostoja e përgjithshme 4500 euro. Sipas të dhënave zyrtare e njëjta pjesë autostrade, 1 Metër kushton katër herë më shumë.

Vetëm 800 kilometra autostradë në Rumani

Rajoni i Bukovinës bën pjesë tek rajonet më të bukura të Rumanisë, por e ka shumë të vështirë të komunikojë me pjesën tjetër të vendit. Një rrugë kombëtare dhe një lidhje me tren ekziston vërtet, por gjendja e tyre në shumë pjesë është e keqe. Nuk ka autostradë që të çon në Suceava dhe rrethina. Disa herë kanë premtuar politikanët e të gjitha partive ndërtimin e një autostrade veri-jug dhe lindje-perëndim. Të dyja akset rrugore do të kishin lidhje me Bukovinën. Por deri më tani nuk është ndërtuar asgjë.

Infrastruktura rumune është në gjendje të vështirë. Me rrjetin e autostradave prej 800km e të ndërprerë në shumë pjesë, Rumania është në fund të renditjes në BE. Spanja kryeson në BE me 15.000 km autostradë, e ndjekur nga Gjermania me 13.000 km. Hungaria, dy herë e gjysmë më e vogël si vend se Rumania, e ka gati tre herë më të gjatë rrjetin e autostradave.

Stefan Mandachi kërkon të tërheqë vëmendjen për gjendjen katastrofale të rrugëve në vendin e tij. Ai ka kërkuar që e gjithë Rumania më 15 Mars në orën 15:00 të bëjë një grevë 15 minutëshe. Këtë thirrje do ta ndjekin nxënësit, studentët, por edhe shumë biznese dhe rrjete galerish tregtare. Në protestën në mbarë Rumaninë pritet të marrin pjesë edhe politikanë.

Një shuplakë për qeverinë në Bukuresht

Në mediat sociale është përhapur gjerësisht videoja e projektit të ndërtimit të 1 metër autostradë. Politikanë lokalë u përpoqën ta ndalin aksionin, duke e deklaruar atë si ilegal. Mandachi mund të paraqiste të gjitha lejet e marra, se 1 metër autostradë që ndërtohet, po ngrihet në një arë që i përket atij. Një shuplakë për qeverinë social-liberale në Bukuresht që ka premtuar disa qindra kilometra autostradë dhe ka ndëruar vetëm 60 km deri më tani. Mandachi e vlerëson gjendjen si “katastrofë”. Nga Gjermania përmes Austrisë deri në Hungari i bën 1200 kilometra për rreth 10 orë, deri në kufirin rumun, për të ardhur pastaj në Suceava të duhet po kaq kohë për 450 kilometra, thotë ai.

Stefan Mandachi shpreson që ky aksion i së premtes të ndryshojë diçka. Në mediat sociale ai thotë, se nuk ndjek ndonjë qëllim politik, por  dëshiron vetëm, që ai dhe bashkëkombasit e tij e turistët të lëvizin të sigurtë në autostradë në destinacionin që duan. Ndoshta këto 15 minuta paralizim i jetës publike mund të jenë shkëndija për ta nxjerrë Rumaninë nga letargjia e dekadave të fundit.

 

Zjarr Tv Ad