Rusia do të mbajë të mbyllur tubacionin kryesor të gazit për në BE, për një periudhë të pacaktuar

0
48
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gazsjellësi i Rusisë që furnizon Gjermaninë nuk do të rihapet siç ishte planifikuar të shtunën, ka thënë firma shtetërore e energjisë Gazprom.

Kompania deklaroi se kishte gjetur një rrjedhje nafte në një turbinë në tubacionin Nord Stream 1 dhe do i duhet një kohë e pacaktuar për ta mbyllur.

Tubacioni është mbyllur për tre ditët e fundit dhe Gazprom u shpreh se vendimi erdhi për çështje mirëmbajtje.

Lajmi vjen mes frikës në rritje se familjet në BE nuk do të jenë në gjendje të përballojnë koston e ngrohjes këtë dimër. Çmimet e energjisë janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën dhe furnizimet e pakta mund të rrisin koston edhe më tej.

Evropa po përpiqet të heqë dorë nga energjia ruse në një përpjekje për të zvogëluar aftësinë e Moskës për të financuar luftën, por tranzicioni mund të mos vijë shpejt.

Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel tha se masa ruse nuk ishte “e papritur”.

“Përdorimi i gazit si armë nuk do të ndryshojë vendosmërinë e BE-së. Ne do të përshpejtojmë rrugën tonë drejt pavarësisë energjetike. Detyra jonë është të mbrojmë qytetarët tanë dhe të mbështesim lirinë e Ukrainës”, shkroi ai në Twitter.

Moska mohon përdorimin e furnizimeve me energji si një armë ekonomike për tu hakmarrë ndaj sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit rus të Ukrainës.

Ajo ka fajësuar sanksionet për pezullimin e mirëmbajtjes rutinë të Nord Stream 1, por BE thotë se ky është një pretekst.

Rregullatori i rrjetit të Gjermanisë, Bundesnetzagentur, tha se vendi ishte tani më i përgatitur për ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus, por u kërkoi qytetarëve dhe kompanive të reduktojnë konsumin.

Njoftimi i Gazprom erdhi menjëherë pasi vendet e G7 ranë dakord për të kufizuar çmimin e naftës ruse në mbështetje të Ukrainës.

G7 (Grupi i Shtatë) përbëhet nga Britania, SHBA, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.

Ata propozuan vendosjen në një kufiri çmimi, që do të thotë se vendet që nënshkruajnë marrëveshjen do të lejohen të blejnë vetëm naftë dhe produkte nafte ruse të transportuara përmes detit që shiten me ose nën kufirin e çmimit.

Megjithatë, Rusia thotë se nuk do të eksportojë në vendet që marrin pjesë në marrëveshje. Tubacioni i gazit shtrihet nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore dhe mund të transportojë deri në 170 milionë metra kub gaz në ditë.

Zjarr Tv Ad