Saimir Korreshi: ‘Vajtimi’ për Fluturën nuk duhet të ndalet!

0
48
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Saimir Korreshi.

Pas ngjarjes se Reçakut, ajo çka i ndodhi Fluturës mund të konsiderohet tragjedia e dytë kombëtare. Vajtimi për të është legjitimin. Kuja tek i madh dhe i vogël, e ndershme.

Flutura ishte në rrezik.

Për Gaz Bardhin e Flamur Nokën duhet kthyer dënimi me vdekje. Shoqata grash, veteranësh, bij të popullit punonjës, pionierë të Edi Ramës, të gjithë kërkojnë drejtësi e shpagim.

Me të drejtë në çdo ekran del portreti i saj mes plagësh. Qëndresa si model frymëzimi për brezat. Vet Lulushi e mori në krah heroinën e re, i pikëlluar që dikush nuk e kopanis atë vetë që të viktimizohet.

Në emisione Flutura, në lajme po ajo.

Shqipëria pyet: Çfarë i ndodhi? Ç’betejë bëri? Ç’armiq mundi? Kush iu gjend pranë kur dhuna e goditi? Kush ia lidhi plagët, Evis Kushi, mjeku popullor xherah Ismet Beqiri a kush?

Lotët burojnë çurg, sytë janë të qullur, xhani vatër zemërimi. Rapsodët po bëjnë garë kush epikën më të mirë do të bëjë, një Argjiro a Norë qe, një Bule a Zonja Çurre?

Në shkolla, temat e hartimeve gëlojnë: “Heroizmi i Fluturës në shekuj”, “Flutura dhe demokracia” , “Flutura fluturon lart”.

Në të shtuna, sokaqeve gratë mblidhen e kujtojnë bëmën dhe oiaaa e tyre derdhet luginave.

Kudo dhe çdo ditë kombi mediton se ajo që Fluturës i ndodhi, duhet të na mbajë zgjuar, të na mbledhë rreth liderit suprem Edi Rama.

Mos e ndërprisni vajin, o njerëz të mirë. Shi të bjerë mbi ne! Ai ju ndihmon me rrëkenë e tij që të ndahen njëherë e mirë brigjet e fajit me ato të virtytit tek Flutura, tashmë është e sigurt në kabinën e qeverisë.

Për disa vite ishte zakon që kudo të shtinin limon: në gotë, në meze , mbi shalqi apo kungull, madje dhe në librari merrje një fletore dhe të zgjasnin edhe një limon.

Tani kudo të japin një fotografi të Fluturës, ‘ikonës’ së re heroike të Rilindjes.

Bujqësia do të lëngojë dhe lotët e derdhura çurg, derman si bënë! Gruri nuk dihet në do të ngrejë më përpjetë, kokën. As shalqini, sado i shartuar me kungull, nuk do marrë ngjyrën e plagëve të marra nga kjo betejë heroike.

Zjarr Tv Ad