Avokati Saimir Vishaj ishte i ftuar të martën në Radar Informativ me gazetaren Juli Xhokaxhi ku u shpreh se mandati për prokurorët e SPAK-ut duhet të jetë i kufizuar. Ky koment i tij vjen pasi pritet që Kuvendi të refuzojë kërkesën e prokurorëve për një mandat të përhershëm.
“Mandati duhet të jetë i kufizuar por të bëjmë ndërhyrje që prokurori i SPAK të mos e ndjekë çështjen në shkallën e dytë apo të tretë. Është i rëndësishëm subjekti me ata që hetojnë. Nuk mundet SPAK-u të marrë 30 hallexhinj, duhet të guxojë te ministri në detyrë. Kur një quhet ish nuk ka më rëndësi për atë qytetar që beson te SPAK-u.
Duhet të veprojë në kohën dhe momentin e duhur ndaj subjektit, duke lënë mënjanë subjektin fukara“, tha ai.
Avokati theksoi se që të ketë ndryshime në statusin e një prokurori duhet të ketë ndryshime kushtetuese duke shtuar se institucionet nga drejtësia e re nuk mund t’i drejtohen Kuvendit.